Simeone: Dëmtimet nuk do të na ndalin

23/05/2014 00:00

Diego Simeone është i bindur se Atletico Madrid mund t’i vërë kapakun një ecurie tepër spektakolare dhe arritjeve të këtij sezoni, duke mposhtur rivalët e qytetit, Real Madrid, në finalen e së shtunës të Champions League.

Trajneri 44-vjeçar këmbëngul se Atletico mund të triumfojë, edhe nëse sulmuesi Diego Costa mund të mbetet jashtë ndeshjes më të rëndësishme të Lisbonës, për shkak dëmtimi.

Tifozët e Atletico-s i frikësohen faktit se Costa, i cili ka qenë i lakuar gjatë për një kalim të mundshëm gjatë verës te Chelsea, mund të ketë zhvilluar ndeshjen e fundit për ekipin e tyre, kur zbriti në “Camp Nou” për vetëm pak minuta, ndeshje në fund të së cilës “Los Colchoneros” u shpallën kampionë të Spanjës.

Por, ekipi ka bërë gjithçka që të ndihmojë sulmuesin të lërë pas shpine problemin në gju, i vetmi që e lë atë ende në dyshim për të luajtur apo jo, madje duke shkuar përtej parashikimeve e duke e futur atë në një trajtim të posaçëm me placentën e kalit. Ai mundi të stërvitej gjatë pasdites së të premtes, duke dhënë më shumë shpresa për ata që nuk do të donin ta shihnin në “Estadio da Luz”.

“Do të vlerësojmë gjendjen e tij, por kemi edhe dyshime të tjera prej dëmtimeve”, tha argjentinasi Simeone. “Ata janë stërvitur të gjithë mirë gjatë së enjtes, por do të duhet të presim dhe të shohim”.

Edhe mesfushori turk Arda Turan u dëmtua në “Camp Nou”, por duket se nuk do ta ketë problem aktivizimin si titullar të shtunën.

“Costa dhe Arda janë lojtarë të rëndësishëm, por janë vetëm emra”, shtoi Simeone. “Ndoshta mund të luajnë ata, ndoshta dy të tjerë që të gjithë ne i njohim”.

“Ne besojmë te Simeone”, tha kapiteni Gabi. “Për mua, ai është më i miri. Na ndihmoi ne të fitonim, por sërish jemi këtu në Lisbonë për të fituar”.

Top Channel