Klose: Gati për rekordin e golave në Brazil

23/05/2014 00:00

Sulmuesi veteran i Gjermanisë, Miroslav Klose, ka thënë se do të jetë 100% gati për Botërorin e muajit të ardhshëm në Brazil, ku ai synon të thyejë rekordin e golave të shënuar në kompeticionin më të madh në rang kombëtaresh.

Me 14 gola të shënuar gjatë 3 kampionateve botërorë të kaluar, 35-vjeçari Klose është vetëm 1 gol larg rekordit prej 15 golash të sulmuesit brazilian, fenomenit Ronaldo, si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave.

Duke qenë një nga dy sulmuesit e vetëm në kombëtare, veterani thotë se do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë të Gjermanisë, në grupin G, kundër Portugalisë, takim që do të zhvillohet në Salvador më 16 Qershor, edhe pse në fakt ka kaluar një sezon me dëmtime të shumta në kampionatin italian, me Lacion, kryesisht nga fundi i Marsit deri në fillim të Majit.

“Ju siguroj se do të jem 100% gati për turneun”, tha ish-sulmuesi i Bayern dhe Werder, në konferencën për shtyp nga kampi stërvitor i gjermanëve, në veri të Italisë. “Ndihem mirë dhe po eci në rrugën e duhur për të qenë gati. Trajnerët e fitnesit më njohin mirë dhe e dinë saktësisht se çfarë dua unë. Kështu që gjithçka po shkon siç duhet”.

Klose deklaroi gjithashtu se prioriteti i tij është ekipi, dhe jo arritja e rekordit të golave të shënuar nëpër Botërorë.

“Gjëja kryesore është të jem gati, por më e rëndësishme është ekipi”, tha ai. “Jam i bindur se kur ekipi luan mirë, atëherë sulmuesit do t’i jepen rastet e nevojshme dhe të mjaftueshme për të treguar veten. Por, kushdo që më njeh, e di mirë se objektivi im është edhe rekordi i golave”.

Në ndeshjet e tjera të grupit, Gjermania do të luajë përballë SHBA-ve dhe Ganës.

Top Channel