Ribery: Brazili do të jetë Botërori i fundit

21/05/2014 00:00

Anësori sulmues i Francës, Franck Ribery, ka bërë të ditur se Botërori i kësaj vere në Brazil do të jetë i fundit për të. 31-vjeçari, i cili ka përfaqësuar “Les Bleus” në edicionet e 2006-s dhe 2010-s, ka vendosur për objektiv t’i japë lamtumirë këtij eventi me një fitore.

“Ky do të jetë Botërori im i fundit, – tha ai për radion RTL. – Duhet të shkojmë atje të arrijmë diçka të rëndësishme, të përpiqemi ta fitojmë Kupën e Botës, është e thjeshtë”.

Gjithsesi, ylli i Bayern Munchen ka thënë se nuk ka asnjë plan për t’u tërhequr nga futbolli ndërkombëtar, teksa pritet të jetë i disponueshëm për Europianin e 2016-s, të cilin e organizon Franca.

Ribery ka luajtur një rol kyç në turneun e Gjermanisë në vitin 2006, duke shënuar golin e tij të parë ndërkombëtar në fitoren e raundit të dytë ndaj Spanjës, ndërkohë që Franca shkoi deri në finalen të kompeticionit, ku dhe u mund nga Italia me penallti.

Gjithsesi, 2010-a ofroi një pamje kontrastuese, pasi ekipi i Raymond Domenech siguroi vetëm 1 pikë dhe shënoi vetëm 1 gol në fazën me grupe, në një kompeticion që përfundoi në një kryengritje ndaj trajnerit kontrovers.

Pas një zënke mes Domenech dhe sulmuesit Nicolas Anelka, ekipi refuzoi të stërvitej dhe kapiteni Patrice Evra u pa të debatonte me trajnerin e fitnesit, Robert Duverne.

Ribery u raportua të kishte përplasje me ish-mesfushorin Yoann Gourcuff, pas humbjes së Francës me Meksikën, por papritur doli në një shfaqje televizive, të paparalajmëruar, për të mohuar këto pretendime, duke shprehur zhgënjimin e tij për performancën e dobët të Francës, si dhe duke mbështetur autoritetin e Domenech.

Top Channel