Gjermania, shumë dëmtime për Low

21/05/2014 00:00

Gjermania ka nisur sot grumbullimin përpara Botërorit, mes shqetësimeve të shumta për dëmtimet e disa prej lojtarëve kyç.

Trajneri Joachim Low ka grumbulluar 27 lojtarë në një hotel me 5 yje, në rezortin “St Leonhard” në jug të Tirolit, apo më sakt në veri të Italisë ku dhe do të stërviten përgjatë 10 ditëve të ardhshme.

“Panzerat” do ta zhvillojnë ndeshjen e parë të Botërorit “Brazil 2014”, për grupin G, kundër Portugalisë së Cristiano Ronaldo-s në Salvador, më 16 Qershor.

Low ka shqetësime për treshen e Bayern Munchen, kapitenit Philipp Lahm (dëmtim të kaviljes), zv/kapitenit Bastian Schweinsteiger (inflamacion të ligamentit të gjurit), si dhe portierit Manuel Neuer (shpinë).

Ai do të duhet të vlerësojë edhe gjendjen e mesfushorit të Real Madrid, Sami Khedira, si dhe atë të sulmuesit të Lazio-s, Miroslav Klose, të cilët kanë pasur mungesa të theksuara aktivizimi, pasi kanë qendruar prej kohësh në stolin e rezervave në ekipet respektive.

“Duke uruar që Manuel dhe Philipp të marrin pjesë në Botëror mund të them se jemi optimistë, por të dy do të duhet të stërviten intensivisht”, tha Low. “Është mirë dhe gjithashtu e rëndësishme, që ata do të jenë me ne që nga fillimi në Tirol, edhe pse nuk do të mund të stërviten fillimisht”.

Çështja më serioze është te Schweinsteiger, i cili nuk pritet të stërvitet përpara fundit të javës së ardhshme, pasi humbi gjithashtu edhe finalen e Kupës së Gjermanisë, të shtunën e kaluar.

Gjermania ka dy miqësore të programuara, kundër Kamerunit në M’gladbach më 1 Qershor, dhe me Armeninë në Mainz, 5 ditë më vonë, përpara se të udhëtojë drejt Brazilit. Pavarësisht situatës së dëmtimeve, Low beson se kjo gjë do të ndihmojë në konkurrencën për 23 emrat që do të shkojnë në Brazil.

“Dua t’i shoh lojtarët të luftojnë për një vend në Botëror”, tha ai. “Turneu do të jetë sfidues për të gjithë lojtarët, në aspektin fizik. Ata që do të vijnë në Brazil duhet të jenë në top formë dhe të kenë një ritëm të mirë loje, ndaj dhe për këto do të përgatitemi në këtë kamp stërvitor”.

“Në fund do të kem një detyrë shumë të vështirë në përzgjedhjen e emrave, duke lënë disa në shtëpi, por kjo është pjesë e detyrës sime, ndaj dhe do ta përmbush me sukses”.

Top Channel