Atletico, e frymëzuar nga Aragones

21/05/2014 00:00

Atletico Madrid do të ndeshet me Real Madrid në finalen e Champions League, të shtunën, në përpjekje për të harruar një nga netët më të dhimbshme të klubit.

“Los Rojiblancos” humbën në Kupën e Europës për çështje sekondash, në atë që mund të konsiderohej sfidë ndaj të gjithë-pushtetshmëve të Bayern Munchen, 40 vjet më parë.

Bayern-i, ku luanin Franz Beckenbauer dhe Gerd Muller, arriti të fitonte 3 Kupa Europe radhazi, por mund të mos e kishin fituar të parën, pasi deri në minutën e fundit të kohës shtesë gjendeshin në disavantazh të 1 goli.

Goli në fjalë ishte shënuar nga lojtari më i madh i të gjitha kohërave për Atletico-n, Luis Aragones, pikërisht 6 minuta nga fundi i kohëve shtesë, por spanjollëve iu mohua fitorja kur Miguel Reina, i ati i portierit aktual të Napolit, Pepe Reina, nuk mundi të ndalte përpjekjen e fundit të Georg Schëarzenbeck, duke barazuar sfidën. Bayern Munchen arriti të fitonte ndeshjen e përsëritur në Bruksel, dy ditë më vonë.

Të dielën, një turmë prej afro 200 mijë fansash të Atletico Madrid u mblodhën përreth shatërvanit “Neptuno” dhe në rrugët që të çojnë tek ai, në qendër të kryeqytetit spanjoll, për të festuar titullin e parë në La Liga pas 18 vitesh. Gjithsesi, mes thirrjeve të shumta të tyre, nuk ishte as trajneri inspirues Diego Simeone, dhe as kryegolashënuesi Diego Costa, por pikërisht ai i Aragones.

Njeriu, që drejtoi gjithashtu Spanjën për suksesin e parë madhor, nga 3 radhazi që morën “La Roja”, pikërisht në Euro 2008, ndërroi jetë më 1 Shkurt të këtij viti, në moshën 75-vjeçare. Që prej atëherë, ai është bërë një frymëzim i një prej sezoneve më të suksesshme të historisë 111-vjeçare të Atletico-s.

Top Channel