Ancelotti: Cristiano dhe Bale do të luajnë

20/05/2014 00:00

Carlo Ancelotti, në prag të finales së madhe të Champions League mes Real Madrid dhe Atletico Madrid, ka siguruar tifozët se dy futbollistët më të shtrenjtë në botë, Cristiano Ronaldo dhe Gareth Bale, do të jenë të gatshëm për supersfidën e së shtunës.

Trajneri i “Los Blancos” shtoi se në dyshim janë vetëm Pepe dhe Karim Benzema.

Pepe dhe Benzema – Tek këta të dy kemi dyshimet e vetme. Nëse ndeshja do të luhej sot, nuk do të ishin në fushë. Vendimin do e marrim vetëm në fund. Varane do të jetë zëvendësuesi i Pepes nëse nuk rekuperohet.

Bale – Ka punuar në palestër. Është shumë i rëndësishëm për skuadrën. Është shumë i motivuar pasi për të është finalja e parë e Champions-it në karrierë. Mendoj se ai dhe Cristiano do të jenë në fushë për këtë takim.

Favoritët – Nuk mendoj se ka favoritë në një finale. Do të jetë një ndeshje e barabartë. Atletico ka euforinë nga ana e saj, ndërsa ne dëshirën e madhe për të fituar këtë titull.

Si përgatitet një finale – Duhet të jesh i qetë dhe nuk duhet të kesh frikë. Nuk është e mirë frika para ndeshjeve të tilla.

Fiksimi për “Decima”-n – Nuk jemi të fiksuar, por mendojmë se kemi një mundësi të mirë për të fituar dhe për të hyrë në historinë e këtij klubi.

Atletico – Është një skuadër kompakte edhe kur sulmon. Kontrollon mirë çdo aspekt të lojës dhe ne e dimë se çfarë skuadre kemi përballë. E njohim njëri-tjetrin dhe duhet të gjejmë zgjidhje të tjera.

Top Channel