Xhaka nuk i mbyll derën Kosovës

19/05/2014 00:00

Edhe pse Shqipëria nuk ka mundësinë e pjesëmarrjes në Kampionatin Botëror të Brazilit një copë e saj do të jetë padyshim atje. Mes 10 lojtarëve shqiptarë që aktivizohen me fanellat e përfaqësueseve të tjera është edhe Granit Xhaka.

Shqiptari i Zvicrës ka zgjedhur vendlindje e prindërve të tij, Prishtinën, për të kaluar pushimet në prag të Botërorit. Në një intervistë ekskluzive për Top Channel mesfushori i Monchengladbach ka një mendim personal rreth ndarjes së dy kombëtareve, edhe për të shqiptarët janë vetëm një.

TCH: Ja dolët mbanë të realizoni ëndrrën për të marr pjesë në një kampionat botëror dhe për më shumë jeni një nga shiptarët që ne kemi atje.

Granit Xhaka:
Që fëmijë e kam pasur ëndërr të luaj në një kampionat botëror dhe tani jam shumë i kënaqur që po më jepet mundësia.

TCH: Për të mbërritur deri në botëror ju desh të përballeshit dy herë me Shqipërinë, çfarë emocioni provuat në ato 180 minuta?

Granit Xhaka: Kam qenë shumë i emocionuar, pasi jo vetëm unë, por edhe 5 lojtarët e tjerë me Zvicrën e dinë që janë shqiptarë. Ka qenë një lojë shumë e vështirë për ne, na është dashur të fitonim patjetër pasi donim të shkonim në botëror.

TCH: Tashmë përveç përfaqësueses së Shqipërisë është krijuar edhe ajo e Kosovës, si e shihni ju këtë hap, jemi një komb dhe kemi dy përfaqësuese?

Granit Xhaka:
Jemi të gjithë shqiptarë, nuk duhet ta krahasojmë Kosovën me Shqipërinë, kemi një gjuhë, jemi një gjak. Unë nuk merrem shumë me politik, shoh punën time si futbollist.

TCH: Mos do të ishte më mirë të kishim një kombëtare dhe të luanim të gjithë për një fanellë?

Granit Xhaka: Kjo është një çështje për të cilën nuk më takon mua të vendos, unë luaj futboll me këto çështje merren persona të tjerë.

TCH: Me krijimin e kombëtares së Kosovës të gjithë lojtarët që luajnë me përfaqësueset e tjera kanë një mundësi të dytë zgjedhjeje, përfshirë edhe ju, apo ju e keni të mbyllur këtë diskutim?

Granit Xhaka:
Aktualisht luaj për Zvicrën, por kurrë nuk i dihet çfarë mund të ndodh pas disa vitesh.

TCH: Ju tani keni një vëlla kundërshtar pasi Taulanti ka zgjedhur të luajë për Shqipërinë, keni biseduar bashkë, a keni ndikuar ju në këtë zgjedhje të tijën?

Granit Xhaka: Bashkë më familjen kemi biseduar me Taulantin, i cili pati një ftes nga Shqipëria, dhe ne i kemi sugjeruar që menjëherë të zgjedh Shqipërinë

TCH: Për sa i përket klubeve me kë bëni tifo?

Granit Xhaka: Thuajse në çdo kampionat e kam një skuadër të preferuar.

TCH: Emri juaj po lakohet shumë në prag të merkatos, a do të ndryshoni fanellë?
 

Granit Xhaka: Do të luaj një herë në kampionatin botëror dhe më pas do të vendos mbi të ardhmen.

TCH: A ka diçka konkrete?

Granit Xhaka: Kam oferta nga disa ekipe, por ndjehem mirë në ekipin aktual.

TCH: Në botëror keni një grup shumë të fort, a mendoni se mund t’ia dilni mbanë?

Granit Xhaka:
Synimi jonë kryesor është të kalojmë grupin dhe më pas do të njohim edhe kundërshtarin e radhës.

TCH: Ju jeni një prej 10 lojtarëve me origjinë shqiptare që merrni pjesë në botëror, si e shijni këtë fakt?

Granit Xhaka: Ky fakt është një kënaqësi për të gjithë shqiptarët.

TCH: Në shortin për eliminatoret e Kampionatit Europian Shqipëria është në grup me Serbinë, ju çmendoni për këtë sfidë?

Granit Xhaka: Është një ndeshje e vështirë, duke pasur parasysh edhe të kaluarën e këtyre dy vendeve, por futbolli nuk ka lidhje me politikën. Ishalla fiton Shqipëria.

TCH: Keni filluar të mësoni Samba?

Granit Xhaka:
Jo jo, pas finales, nëse do të marrim kupën atëherë po. 

Top Channel