Polemikat për golin e Borussias

19/05/2014 00:00

Bayern Munchen u kthye sërish në Marienplatz të Mynihut. Nëse para një jave festoi titullin e Bundesligës duke i treguar trofeun tifozëve nga ballkoni i Bashkisë, të dielën festoi fitoren e Kupës së Gjermanisë pasi mundi Borussia Dortmund me rezultatin 2-0 në finale.

Euforia bavareze bën kontrast me zemërimin e verdhezinjve të Dortmundit pasi atyre nuk iu akordua një gol i rregullt që do i kalonte në avantazh, kur topi i goditur me kokë nga Hummels u largua nga Dante pasi kishte kaluar vijën e portës.

“Unë dhe asistentët e mi nuk e pamë qartë nëse topi kishte kaluar plotësisht vijën e portës”, tha arbitri Florian Meyer me anë të një komunikate.

“Ishte një turp i madh”, tha mbrojtësi i Dortmundit, Marcel Schmelzer. Ndërsa trajneri Jurgen Klopp përdori ironinë për këtë rast: “Nëse Dante largoi topin pa kaluar plotësisht vijën fatale me këmbën mbështetëse në vijë dhe me tjetrën brenda portës, atëherë është i denjë për t’u bashkuar me Cirque du Soleil.”

Top Channel