Real apo Barça?…Jo! Atletikooo!!!

16/05/2014 00:00

As Real Madrid, as Barcelona. “Modestët” e Atletikos u shpallën kampionë të Spanjës duke mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme një sezon fantastik.

Skuadra e drejtuar nga Simeone barazoi 1-1 në Camp Nou me Barcelonën duke ruajtur distancën prej 3 pikësh me katalanasit. Supergolit të shënuar nga Sanchez në minutën e 33 të pjesë së parë, “madrilenët e vegjël” iu përgjigjen me Godin në minutën e 49, i cili goditi me kokë brenda zonës pas një goditje këndi dhe i dha golin e barazimit, një gol që vlen sa një kampionat.

Vlen për t’u përmendur se që herët, që në minutat e para të takimit, Atletiko u privua nga Arda Turan në mesfushë dhe Diego Lopez në sulm. Dy pikat më të forta të skuadrës së Simeone-s u dëmtuan dhe u zëvendësuan përkatësisht me Adrian dhe Garcia.

Ky ishte titulli i dhjetë kampion për Atletikon në gjithë historinë e klubit, një titull që me gjasë do të mbahet mend gjatë pasi skuadra e drejtuar nga Simeone me vendosmëri u ngrit mbi dy superfuqitë, jo vetëm të futbollit spanjoll.

Tashmë me njërin trofe në xhep, Atletiko pret e qetë 24 majin, finalen e madhe të Ligës së Kampioneve, trofe që do ta diskutojë me Realin e Madridit.

Ndërkohë barazimi ndaj Atletikos i ka kushtuar vendin trajnerit të Barcelonës, Tata Martino. Trajneri argjentinas njoftoi dorëheqjen “konsensuale”, sic njoftohet në adresën zyrtare të klubit të Barcelonës.

Martino mori drejtimin e Barcelonës më 22 korrik të vitit të kaluar, menjëherë pas largimit të të ndjerit Tito Vilanova për shkak të sëmundjes së kancerit, betejë që Vilanova fatkeqësisht e humbi.
 

Top Channel