Finalja e Kupës së Shqipërisë

17/05/2014 00:00

Kukësi dhe Flamurtari janë finalistët e këtij sezoni të Kupës së Shqipërisë. Kukësi si nënkampione e Shqipërisë do të kërkojë trofeun e vetëm të këtij sezoni që do të jetë pikërisht Kupa.

Përgatitja dhe përqëndrimi i tyre duket të jetë maksimal, ndërkohë që është pikërisht trajneri Starova, ai i cili nuk është shumë i qetë dhe nuk ndihet aspak mirë që për këtë finale nuk do të të ketë mundësi të marrë maksimumin nga lojtarët e tij.

“Unë besoj që kemi një avantazh të lehtë që duhet ta shfrytëzojnë lojtarët. Avantazhi është gjendja e mirë psikologjike në kushtet kur skuadra është nënkampione për të dytin vit radhazi, ka siguruar pjesëmarrjen në Europë dhe kjo duhet shfrytëzuar. I vetmi shqetësim për spektakël është që është e garantuar që s’ka spektakël sepse Qemal Stafa prodhon vetëm baltë, është një terren i falimentuar që s’duhej të ishte luajtur finalja aty, por s’kemi cfarë t’i bëjmë do përgatitemi për këtë”, thotë Starova.

Edhe për kapitenin e Kukësit, Hallaçi fusha është një shqetësim, megjithatë kjo nuk e pengon atë t’i bëjë thirrje të gjithë tifozerisë së Kukësit që të vijë në “Qemal Stafa” për të festuar fitoren.

“Terreni ngelet një problem më vete. Kuptohet është bukur të luash në stadiumin kombëtar sepse dhe tifozë do të ketë më shumë, por terreni do të jetë një problem i madh. Shpresoj që me pushimin e shiut të bëhet një ndeshje e bukur. Tifozët të presin deri në mbarimin e ndeshjes sepse trofeu do të shkojë në Kukës”, thotë Hallaçi.

Ndërkohë edhe në Vlorë pas shpëtimit nga rënia nga kategoria tashmë kanë një shans të mirë për të siguruar pjesëmarrjen në Europë me fitimin e kupës. Për trajnerin Gjoka situata është e barabartë për të dyja skuadrat edhe pse beson se mund t’ja dalë Flamurtari mbanë.

“Dy skuadra jemi. Nga këto dy skuadra njëra do të fitojë. Cdo gjë është e hapur dhe pse jo të mos e fitojmë ne”, thotë trajneri i Flamurtarit, Nesti Gjoka.

Flamurtari për herë të katërt në histori merr pjesë në finalen e kupës dhe nga këto ka arritur ta fitojë tre herë, në sezonet 1984-1985, 1987-1988 dhe 2008-2009. Ndërsa Kukësi vazhdon të shkruaj historinë, pasi është hera e parë që merr pjesë në një finale dhe si rrjedhojë nuk e ka fituar asnjëherë. Starova ja ka dalë mbanë deri më tani të shpëtojë sezonin e veriorëve duke mbyllur sezonin si nënkampion, por emri i tij lakohet shumë për një largim të mundshëm.

“Unë nuk mbaj mend sa kupa kam fituar dhe kjo nuk është problem. Problemi është vetëm ta fitojmë”, u përgjigj ai.

Kupa e Shqipërisë do të luhet nesër në “Qemal Stafa” në orën 18:00 dhe si gjithmonë do të keni mundësinë ta ndiqni drejpërdrejtë në paketën Supersport në përmjet platformës Digitalb.

Top Channel