La Liga, “finalja” e titullit me rikthime

16/05/2014 00:00

Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, ka bërë të ditur se Diego Costa do të jetë titullar për ekipin e tij në ndeshjen vendimtare për titullin e La Liga-s ndaj Barcelonës, të shtunën në “Camp Nou”, pasi ka lënë pas shpine një dëmtim të lehtë.

Costa mungoi në barazimin 1-1 të Atletico-s me Malaga-n, fundjavën e kaluar, teksa “Rojiblancos” nuk mundën të shfrytëzonin rastin e artë për t’u shpallur kampionë për herë të parë pas 18 vitesh.

Gjithsesi, sulmuesi brazilian dhe i natyralizuar si spanjoll, i cili ka shënuar 36 gola në të gjitha kompeticionet gjatë këtij sezoni, është rikthyer në stërvitje gjatë së premtes dhe Simeone ka këmbëngulur se ai do të jetë gati për transfertën katalane.

“Ai është mirë. Sot përfundoi seancën stërvitore sërish, pa ndjerë ndonjë problem. Nesër do të luajë titullar ndaj Barçës”, tha Simeone në konferencën për shtyp para ndeshjes, të premten.

Atletico-s i mjafton edhe 1 pikë për të rrëmbyer trofeun e La Liga-s, dhe diçka e tillë bëhet gjithnjë e më e arritshme, duke ditur se “Rojiblancos” nuk kanë humbur asnjë prej 5 takimeve kundër Barcelonës, në 3 kompeticione të ndryshme, këtë sezon.

Megjithatë, Simeone e pranon se nuk e kishte besuar kurrë, që Atletico të shkonte kaq pranë titullit, duke sfumuar dominimin e Barçës dhe Realit në Spanjë, duke pasur mundësinë të kthehet në rastin e dytë në 10 vite, që një ekip jo pretendent të shpallet kampion.

***

Në krahun tjetër, Barcelona ka marrë lajme të mira pas rikthimit të Neymar, Gerard Pique dhe Jordi Alba për ndeshjen e nesërme ndaj Atletico-s, në një sfidë ku do të vendoset edhe fituesi i këtij edicioni të kampionatit spanjoll.

Pique mungonte që prej ndeshjes së fundit që Barça ka zhvilluar me Atletico-n më 1 Prill, ndërsa Neymar dhe Alba nuk janë aktivizuar që pas humbjes së tyre ndaj Real Madrid, në finalen e Kupës së Mbretit, 1 muaj më parë.

“Ndoshta ata nuk kanë përgatitjen më të mirë fizike, por nuk është e thënë që të luajnë 90 minuta”, tha trajneri i Barcelonës, Gerardo Martino, të premten. “Dua të theksoj se, pavarësisht nga çfarë ndodh nesër, përpjekjet dhe dëshira e tyre nuk ka munguar për të qenë të gatshëm për ndeshjen e fundit të sezonit. Kurajoja e treguar prej tyre, për mua është diçka e madhe dhe e tillë është edhe për grupin”.

Top Channel