Kupa, Bayern-i me mungesa ndaj Dortmund-it

16/05/2014 00:00

Trajneri i Bayern Munchen, Pep Guardiola, ka konfirmuar se mesfushori i dëmtuar Bastian Schweinsteiger do të mungojë në finalen e së shtunës për Kupën e Gjermanisë, në Berlin ndaj rivalëve të Borussia Dortmund, ndërkohë që jashtë liste ka mbetur edhe Mario Mandzukic.

“Schweinsteiger është i dëmtuar dhe ka pak probleme me gjurin, që pas ndeshjes me Stuttgart-in të shtunën e kaluar, ndërsa Mandzukic do të mungojë për një vendim timin”, tha Guardiola në një konferencë për shtyp gjatë së premtes, në stadiumin “Olympic” të Berlinit.

Zv/kapiteni i Bayern-it, “Schwein”-i nuk është stërvitur gjatë gjithë javës, prej një dhimbjeje në gju, ndërkohë që Guardiola tha se shpreson ende që mesfushori i tërhequr të jetë në gjendje për të luajtur me Gjermaninë, në Botërorin e muajit të ardhshëm.

“Kjo është ndeshja jonë e fundit, kështu që do të duhet të flisni më pas me trajnerin e kombëtares Joachim Low, megjithatë unë shpresoj që ai të shkojë në Brazil”, tha Guardiola.

Vendimi i Guardiolës për të lënë Mandzukic jashtë skuadrës së bavarezëve ngre dyshime në lidhje me të ardhmen e sulmuesit kroat në Mynih, në një kohë kur dihet se sulmuesi polak Robert Lewandowski do të bashkohet me bavarezët nga Dortmundi, në fund të sezonit.

“Ai nuk është stërvitur gjatë së hënës dhe të martës, por mund të kishte luajtur në finale”, tha Guardiola për Mandzukic, i cili ka një kontratë deri në vitin 2016 dhe ka shënuar 33 gola në 55 ndeshje të Bundesliga-s, që kur u bashkua me Bayern-in nga Wolfsburg 2 vite më parë. “Po, ky është një vendim i imi, kjo është e gjitha. Kam tashmë 18 lojtarë për ndeshjen e madhe të së shtunës”.

Kjo nuk është hera e parë që Bayern e lë Mandzukic jashtë gjatë këtij sezoni, pasi 27-vjeçari, i cili është shpallur golashënuesi më i mirë për bavarezët në 2 sezonet e fundit, u la jashtë edhe në fillim të këtij viti, pas disa performancave të dobta në stërvitje.

Top Channel