Betonizohet pista e Gjirokastrës

15/05/2014 00:00

Forcat e Armatosura kanë rrethuar pistën e aerodromit të Gjirokastrës me qëllim ndalimin e uljes së avionëve.

Blloqe betoni dhe tela janë vendosur sot nga ushtarë në gjatësinë e pistës. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Mbrojtjes, aksioni është ndërmarrë në kuadër të masave për ruajtjen e objekteve në konservim.

Masat prej Ministrisë së Mbrojtjes vijnë disa javë pas akuzave të opozitës per ulje të avionëve që kanë transportuar drogë. Mjete të rënda kanë sjellë barrierat e betonit të vendosura në mes të pistës, me një distancë rreth 100 metra larg njëra-tjetrës që bën të pamundur uljen e avionëve në këtë pistë, ndërsa mësohet se barreierat e mëdha të betonit do të vendosen edhe në pjesët anësore.

Aerodromi i Gjirokastrës u ndërtua gjatë Luftës së Dytë Botërore nga italianët. Pas vitit 1944, shërbimi civil në aeroportin e jugut do të ndërpritej, por pista e tij do të përdorej për fluturime për qëllime ushtarake, për nevoja qeveritare dhe humanitare.

Top Channel