F1, Mercedesi në pistë me megafon

15/05/2014 00:00

Problemi i zhurmës së ulët të motorëve Turbo V6 është kthyer në një çështje në Formulën 1.

Shumë skuadra kanë kërkuar që të merren masa në lidhje me këtë aspekt, kërkesë kjo që është pranuar edhe nga Presidenti i FIA-s, Zhan Todt. Ndërsa pritet një lëvizje nga ana e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, te Mercedesi e bënë një përpjekje konktrete për ta bërë më të zhurmshme makinën, por që mesa duket nuk rezultoi shumë e suksesshme.

Gjatë testeve të zhvilluara në Barcelonë, Niko Rosberg zbriti në pistë i pajisur me një megafon për të parë se si do të ndikojë në ndryshimin e zhurmës së motorit, por mesa duket nuk u vunë re ndryshime të mëdha.

“Për fat të keq nuk u vu re asnjë ndryshim nga përdorimi i megafonit”, tha Rosberg i cili më pas theksoi se tek Mercedesi të gjithë po përpiqen për të gjetur një zgjidhje për çështjen e zhurmës së motorëve.

“Si skuadër, ne duam për të mirën e këtij sporti që të dëgjohet më shumë zhurma e motorëve në pistë, kështu që është e nevojshme që të gjejmë të tjera zgjidhje sepse kjo që bëmë këtë radhë nuk ishte e duhura”, tha piloti gjerman.

Top Channel