Aventura shqiptare e avionit

14/05/2014 00:00

Policia ka nxjerrë variantin e plotë zyrtar të ngjarjes së Divjakës. Në mënyrë kronologjike, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi, e bëri të ditur gjatë një takimi mes drejtuesve të policisë dhe kryeministrit.

Avioni u ngrit në fluturim nga Rinasi më 13:36 minuta, me destinacion Peskarën, Itali. Avioni arrin në kuotën 757 metra lartësi, në orën 13:50 minuta, dhe devijon fluturimin pa kërkuar leje. Pas pyetjes nga Kontrollori i Trafikut Ajror, ai kërkoi fluturim për qëllim turistik.

Dy minuta më vonë, piloti – sërish pa kërkuar leje – ulet në 212 metra lartësi. Kontrollori i Trafikut e paralajmëron për lartësinë e ulët. Më 13:56 minuta humbet nga monitorimi i radarit, por vazhdon të qëndrojë në frekuencë radioje.

Më 13:59 minuta, Kontrollori nis procedurën e emergjencës. Në orën 14:11 minuta, shefi i Komisariatit Lushnje informon drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe ministrin e Brendshëm, se një avion i vogël po fluturonte nga Bedati dhe po ulej në Divjakë.

Urdhërohet fillimi i operacionit për gjetjen e avionit. Efektivat e policisë mbërrijnë në vendin e ngjarjes dhe konfirmojnë mjetin e ulur dhe pilotin, 2 metra larg avionit, teksa mbante në dorë 2 çanta. Avioni kishte ngecur në rërë, i dëmtuar. U konstatua se piloti ishte Giorgio Riformato.

Më 14:33 minuta, patrulla e dytë, në aksin Divjakë – Plazh, identifikoi dy automjete të ndaluara buzë rrugës, një “Mitsubishi” që po ngarkohej në rimorkio, të tërhequr nga një “Range Rover”. Një shtetas po largohej nga automjeti në drejtim të pyllit, me një çantë të zezë.

Policia bllokoi makinat, të dyshuara me ngarkesë lënde narkotike, dhe u vu në ndjekje të shtetasit në largim. Më 14:50 minuta u identifikuan personat e ndaluar dhe pronari i automjetit, ku gjendej lënda narkotike.

Më 16:50 minuta, në afërsi të avionit të rrëzuar, në pjesën e pyllëzuar, u gjetën 8 çanta, të cilat dyshoheshin si lëndë narkotike. Gjithashtu, u gjetën 3 doreza plastike, një sinjal automjeti dhe një flamur. Ato u sekuestruan si prova materiale.

Më 17:51 minuta, në vendin e quajtur “Ura e Dajlanit”, në pyllin e Divjakës, u kap Sajmir Bajrami. Në çantën e tij u gjetën 27,550 Euro, çelësat e automjetit dhe leja e drejtimit.

Reagimi i “Albcontrol” pas akuzave për avionin

“Albcontrol nuk jep leje fluturimi. “Albcontrol” kryen shërbimin e lundrimit ajror, apo si në rastet e avionëve që pilotohen me shikim; kryen shërbimin e informimit të trafikut ajror, në bazë të një lejeje fluturimi të lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil”.

Kjo është pjesë e deklaratës së shpërndarë për mediat, nga “Albcontrol”, ku sqarohet opinioni për detyrat që ka ky institucion në trafikun ajror.

Deklarata vjen pas akuzave më të fundit në lidhje me avionin e Divjakës.

“Albcontrol nuk administron shkresa, por të dhëna elektronike, që ruhen në sistem pa kufizim kohor, ndaj – theksohet në deklaratë se, – sistemet tona përmbajnë të dhëna mbi të gjithë avionët, që janë pajisur me leje nga Autoriteti i Aviacionit Civil, dhe i është ofruar shërbimi i lundrimit ajror. Në sistemet tona – sqaron ‘Albcontrol’, – janë të regjistruara të gjitha lëvizjet e datës 10 Maj, por edhe të të gjitha ditëve, muajve apo viteve të mëparshëm. Për rastin e avionit, me leje fluturimi numër 193 të lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil, ky avion rezulton se fluturon sipas rregullave VFR, pra jo me instrumenta navigacional, por me shikim të lirë e totalisht në përgjegjësinë e pilotit”, thuhet në deklaratë.

“Kontrollori, në këtë rast, ofron vetëm informacionin navigacional, pasi fluturojnë në lartësi më të ulta se juridiksioni ynë”, njofton ‘Albcontrol’.

Top Channel