Portugalia heton Scolarin, evazion fiskal

14/05/2014 00:00

Trajneri i Brazilit, Luiz Felipe Scolari, pritet të përballet me një hetim penal, siç bëjnë të ditur raportime nga Portugalia, edhe pse ai mohon akuzat për evazion fiskal.

Scolari, 65 vjeç, ka drejtuar kombëtaren portugeze gjatë viteve 2003-2008. Akuzat besohen të jenë të lidhura pikërisht me këtë periudhë kohore.

Në një deklaratë, braziliani tha se “kishte deklaruar gjithnjë fitimet e tij në të gjitha vendet ku ka punuar”. Akuzat vijnë më pak se 1 muaj nga fillimi i Botërorit “Brazil 2014”.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Portugali konfirmoi se hetimi është nisur, por nuk dha detaje të mëtejshme mbi këtë çështje, njofton agjencia e lajmeve “Associated Press”. “Jam më se i bindur për korrektësinë e deklaratave të mia. Nëse ka ndonjë gjë që nuk shkon, atëherë nuk është për shkak të veprimeve të mia”, lexohej në deklaratën e Scolari-t.

Sipas raportimeve të mediave holandeze dhe portugeze, hetimet fokusohen te pagesa prej 7,4 milionë euro të bëra ndaj Scolari-t, gjatë periudhës kur ai ka qenë trajner i Portugalisë.

E përditshmja holandeze “Het Financieele Dagblad” publikoi një dokument, me të cilin akuzon Scolari-n se nuk ka deklaruar të ardhurat, të cilat besohen të kenë buruar nga të drejtat për imazhin, dhe se fondet janë transferuar në një llogari bankare në Miami.

Hetuesit në Portugali raportohen të kenë kërkuar informacione, në lidhje me njerëzit e përfshirë në këto transaksione. Scolari tha se shpreson që “drejtësia të hetojë deri në fund faktet”.

Ai drejtoi Brazilin drejt fitores së Botërorit 2002, ndërsa javën e kaluar shpalli edhe listën e kombëtares së tij që do të marrë pjesë në Kupën e Botës, që do të nisë në Brazil më 12 Qershor.

Top Channel