F1, Newey nuk i mbyll derën Ferrarit

13/05/2014 00:00

Vitet e fundit gjithmonë është folur për mundësinë që Adrian Newey të bashkohet me Skuderinë Ferrari.

Inxhinieri anglez, i cili është gjeniu pas makinave Red Bull që kanë dominuar në 4 vitet e fundit Formulën 1, gjithmonë ka thënë se ka nevojë për sfida të mëdha për të ndryshuar skuadër dhe për momentin nuk ka sfidë më të madhe sesa ringritja e Ferrarit.

55-vjeçari nuk i mbylli dyert një mundësie të tillë kur u pyet nga ‘Sky Sports’: “Do të vijë momenti që do të duhet të mendoj për të ardhmen time, por tani mendoj vetëm për të kaluar makinat Mercedes. Kurrë nuk i dihet.”

Presidenti Luca di Montezemolo ka provuar t’i mbushë mendjen në disa raste, por përgjigja e Newey-t ka qenë gjithmonë negative.

Newey shpjegon pse: “Nuk e di, në mes të viteve ’90 nuk doja të lëvizja familjen time pasi fëmijët i kisha në shkollë në Angli. Më pas, kur u largova nga McLaren, mund të shkoja tek Ferrari, por në atë kohë ishte një skuadër e strukturuar mirë dhe kompetitive.”

Top Channel