Turqi, tragjedi në minierë, të paktën 157 të vdekur

13/05/2014 00:00

Të paktën 157 minatorë humbën jetën, 75 u plagosën dhe rreth 200 të tjerë janë bllokuar nëntokë pas një shpërthimi dhe zjarri të fuqishëm, brenda një minierë private qymyrguri në perëndim të Turqisë.

Fillimisht u fol për 580 minatorë të bllokuar, rreth 2 km nën sipërfaqen e tokës, por shumë prej tyre mundën të dalin.

Përfaqësuesit e sindikatës thanë se “shpërthimi në minierën që ndodhet në qytetin Soma, në provincën e Manisas- u dëgjua gjatë ndryshimit të turneve dhe pikërisht kjo ishte arsyeja që pati pasiguri për numrin e minatorëve të mbetur brenda minierës”.

Presidenti turk Abdullah Gyl urdhëroi guvernatorin rajonal për të venë në dispozicion të gjitha burimet, për shpëtimin e minatorëve.  Ndërsa kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan i shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe nënvizoi se ekipet e shpëtimit do të bëjnë gjithçka të mundur për të shpëtuar minatorët e bllokuar, që mendohet se ndodhen 4 km larg hyrjes se minierës.

Një prej zyrtarëve lokale tha se “tymi i dendur po pengon përpjekjet e ekipeve të shpëtimit”.
Aksidentet në miniera janë të zakonshme në Turqi, për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë. Më i rëndi është regjistruar në vitin 1992, kur 270 minatorë humbën jetën në afërsi Zonguldak-ut, në Detin e Zi.

Të martën në mbrëmje u mësua se partia kryesore në opozitë, ajo Popullore Republikane, kishte bërë një hetim parlamentar vitin e kaluar për kushtet e sigurisë së firmës së minierave, i cili u rrëzua me 29 Prill.

Top Channel