Milan, kontakte me Spalletti-n, mister Conte

13/05/2014 00:00

Milan është vënë në lëvizje, madje po kërkon gjithandej. Për pankinën e kuqezinjve, këto janë ditët decizive. Në fundjavë ka pasur kontakte me Luciano Spalletti-n, ish-trajnerin e Zenit dhe Romës, i cili mbetet alternativa e parë për të pasuar Clarence Seedorf.

Por, ajo që nuk mund të mendohej ka të bëjë me zërat që flasin për një afrim të mundshëm të Antonio Conte-s. Edhe pse zërat janë mohuar sapo kanë dalë, fakti që trajneri i Juventusit është në fund të aventurës së tij me bardhezinjtë është një sinjal domethënës.

Duke e marrë thuajse të sigurt lamtumirën e Clarence Seedorf, problemi që haset me Spalletti-n është gjithnjë ekonomik, kjo edhe për faktin se paga e holandezit do të rëndojë në bilancin e kuqezinjve edhe për 2 vite të tjera.

Sa i përket kandidaturës së parë për zëvendësimin e “profesorit”, i cili te Zenit fitonte 4 milionë euro në sezon, te Milan nuk mund të marrë më shumë se 2,5 milionë euro. Pas kontakteve që ka pasur me Adriano Galliani-n, trajneri toskan ka folur për ndërtimin e stafit teknik: dihet që te Milan preferojnë burimet e brendshme.

Ndërsa kapitulli Conte ka nisur me një telefonatë mes trajnerit aktual juventin dhe administratorit të deleguar kuqezi, por që gjithçka është mohuar nga të dy palët. Ashtu siç janë hedhur poshtë edhe zërat për Jorge Jesus, trajnerin aktual të Benfikës, finaliste e Europa League. E megjithatë ende nuk po flitet për dy alternativa për t’u pasur në konsideratë, Pippo Inzaghi dhe Roberto Donadoni.

Top Channel