Berlusconi: Balotelli duhet të mësojë të shënojë

12/05/2014 00:00

“Balotelli duhet të mësojë të luajë si sulmues i parë, të qëndrojë më afër portës dhe të shënojë. Për të fituar duhet të shënosh. Do të takohem me të dhe do t’ia shpjegoj këtë”.

Kjo ishte një pjesë e intervistës së dhënë nga Presidenti i Milanit Silvio Berlusconi për Sportmediaset, në të cilën ai ka përsëritur se e ardhmja e Seedorf do të vendoset pas përfundimit të sezonit.

“Unë nuk jam i kënaqur me ecurinë e ekipit gjatë këtij sezoni, po ashtu si të gjithë tifozët. Për fat të keq e djeshmja ishte e keqe, por ne kemi pasur vite suksesi të jashtëzakonshme.  Jemi ende ekipi më i suksesshëm në botë dhe mbi të gjitha tani po punojmë për të ardhmen e Milanit. Këtë sezon duhet ta lëmë pas krahëve dhe të shohim përpara. Duam të kthehemi sa më parë në nivele të larta, atje ku këtij ekipi i takon dhe ku ka qëndruar gjithë këto vite”, shtoi Berlusconi në intervistën pas ndeshjes me Atalantën, e cila i hoqi përfundimisht kuqezinjve shpresën për një vend vitin e ardhshëm në Europa League.

Pyetjes se a do të qëndrojë edhe për sezonin e ardhshëm nën drejtimin e Milanit Seederf, Berlusconi është përgjigjur se menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së fundit të kampionatit do të ketë një mbledhje dhe do të vendosim edhe mbi trajnerin e ardhshëm. Ai ka shtuar se loja e ekip ka qenë nën pritshmërinë dhe për këtë duhet të ketë reflektime.

Top Channel