F1, Hamilton: Krenar që jam tek Mercedesi

11/05/2014 00:00

Lewis Hamilton arriti në Spanjë fitoren e tij të 26 në karrierë në Formulën 1 dhe në të njëjtën kohë mori kryesimin e renditjes së pilotëve. Britaniku i Mercedesit theksoi se pa ndihmën e skuadrës nuk do të kishte arritur të fitonte katër gara radhazi.

“Inxhinierët kanë bërë një punë të mrekullueshme në mënyrë që të më vinin në pozita për të fituar katër gara radhazi. Sot nuk isha më i shpejtë se Rosberg, por jam i lumtur për fitoren. Jam krenar që jam pilot i Mercedesit dhe jam i bindur që kam bërë zgjedhjen e duhur”, tha Hamilton.

Ja si e analizon ai garën: “Kisha vështirësi me balancimin e makinës. Flisja vazhdimisht me inxhinierët për të rregulluar disa gjëra në timon dhe për të përmirësuar ritmin e garës. Kurrë më parë nuk kam pasur një makinë si kjo dhe një avantazh si ky ndaj të tjerëve.”

Ndërsa Nico Rosberg, shoku i skuadrës i Hamiltonit, tha se nëse do të kishte edhe një xhiro tjetër, mund ta kishte parakaluar britanikun.

“Nëse do të kishte edhe një xhiro, do e provoja me bindje parakalimin. Gjithsesi, vendi i dytë është i mirë për Botërorin”, tha gjermani.

Top Channel