Lamtumira e Zanetti-t, zv/presidentit të ardhshëm

11/05/2014 00:00

Presidenti i nderit të Interit, Massimo Moratti, e kishte parashikuar shumë përpara festës së madhe, por e ka konfirmuar sërish kur është bashkuar në një restorant italian në darkën për nder të Javier Zanetti-t.

“Kisha menduar për një rol si president i ardhshëm i Interit. E di që është edhe një rol tjetër i lirë, zv/presidenti, që është diçka prestigji për të. Jam i lumtur që është menduar seriozisht ky post. Do të jetë në dorën e tij për të bërë maksimumin në këtë rol, por jam i bindur se do të ketë sukses, sepse është i zoti”.

Këto janë fjalët e para të ish-presidentit të Interit për Zanetti-n, pas ceremonisë nderuese në “Giuzeppe Meazza”, që e vendosi kapitenin e Interit në qendër të fushës, ku e priste një fanelë e madhe me numrin 4 dhe me një mbishkrim “Falemnderit”.

Një fytyrë plot me emocione dhe një fjalim i ndërprerë disa herë nga publiku, i cili thërriste në kor: “Ka vetëm një kapiten”. Ky ishte imazhi më fantastik për lamtumirën e një lojtari si Javier Zanetti, pas plot 19 vitesh karrierë me zikaltrit, i dhuruar nga publiku i tij. Një mbrëmje e gjatë për argjentinasin, i cili është takuar dhe ka marrë përgëzimet dhe duartrokitjet e të gjithëve, miq dhe kundërshtarë në fushën e blertë.

“Këtu përfundon Zanetti futbollist dhe nis Zanetti njeri. Përfundon një karrierë e bukur, gjatë së cilës kam mbrojtur këtë fanelë, të cilën e dashuroj vërtet. Falemnderit të gjithëve! Ndaj Moratti-t për besimin që më ka dhënë, ndaj Thohir sepse më jep mundësinë të vazhdoj në këtë familje, por edhe për shokët e mi dhe për familjen time”, kanë qenë fjalët e thëna thuajse me përlotje nga kapiteni argjentinas i zikaltërve.

Ndërkohë, presidenti aktual i Interit, Erick Thohir pritet të vendosë tërheqjen e fanelës me numrin 4, për të mos u veshur më kurrë nga ndonjë lojtar tjetër i Interit.

Top Channel