F1, Hamilton: Nxorra maksimumin e makinës

11/05/2014 00:00

Lewis Hamilton e di mirë se është favoriti për të triumfuar në Çmimin e Madh të Spanjës, por me një Mercedes të tillë si ky i sivjetshmi, gjithçka bëhet edhe më e lehtë.

“Ishte një ditë e ngarkuar. Nico (Rosberg) ka bërë një xhiro shumë të mirë, por në momentet e fundit arrita të marr maksimumin e makinës time. Gjatë kësaj fundjave nuk mund ta dinim se si do të shkonin gjërat, por puna e vështirë e ekipit më entuziazmon së tepërmi. Nuk mund të mos e falënderoj skuadrën time. Jam shumë i kënaqur”, ka thënë anglezi, pas kualifikueseve të ditës së shtunë.

Edhe pse në vendin e dytë, Nico Rosberg nuk e fsheh zhgënjimin e tij. “Jam i zhgënjyer, sepse nuk më pëlqen të dal i dyti. Mbi të gjitha pas Lewis-it, – ka pranuar gjermani. – Edhe pse do të nisem nga vija e parë e startit të garës, besoj se xhiroja ime ishte shumë e mirë. Ndoshta mund të bëja diçka më shumë, por duhet të pranoj rezultatin. Në fund të fundit jam vetëm 2 të dhjetat mbrapa Hamilton-it, kështu që mund të nisem mirë dhe të përfundoj në krye të garës”.

Ricciardo, i pari pas “jashtëtokësorëve”

Për të tjerët do të jetë e vështirë të “shqetësojnë” dyshen e pilotëve të Mercedes dhe këtë e di mirë Daniel Ricciardo, i cili përfundoi i pari mes “humanëve”, pas “jashtëtokësorëve” të skuderisë gjermane.

“Sërish jam më i miri ndër të tjerët, – ka shpjeguar australiani i Red Bull, – por ende nuk ka rezultuar e mjaftueshme. Gjëja pozitive është që kemi dalë të tretët, një bazë e mirë për garën e së dielës. Nuk është keq, por duhet të afrohemi sa më shumë me dyshen e parë. Prisja një distancë shumë më të vogël me ta, por Mercedes është faktikisht shumë përpara nesh”.

Vettel, kampioni i katërfishtë i botës nuk mundi të regjistronte një kohë të shpejtë në sesionin e tretë të provave të lira, për shkak të një difekti me kambion.

Çmimi i Madh i Spanjës do të transmetohet drejtpërdrejt në Top Channel dhe Top Channel HD duke nisur nga ora 14:00 e së dielës.

Top Channel