Superiorja kthehet në teatër

11/05/2014 00:00

Teatër dhe bojkot. Kështu mund të përkufizohet java e fundit e Kategorisë Superiore, dita kur Skënderbeu mori titullin e katërt radhazi kampion, ndërsa Pero Pejiç mori trofeun “Këpuca e Artë”, si golashënuesi më i mirë i sezonit.

Protestat e tifozëve shkodranë në momentin kur Vllaznia, e cila sapo siguroi qëndrimin në Superiore, i dha mundësinë Teutës të fitojë 1-3 në “Loro Boriçi”, duket se janë një tregues i qartë, që edhe fundi i këtij sezoni nuk i ka shpëtuar dyshimeve të forta për kompromise dhe aleanca mes skuadrave.

Gjithsesi, 3 pikët në Shkodër nuk i bëjnë punë as Teutës dhe as Partizanit, që përmbysi rezultatin dhe fitoi 4-2 ndaj Lushnjes, sepse do të jetë Laçi skuadra tjetër shqiptare që do të shkojë në Europa League, pas fitores 1-2 në Korçë.

Besa nuk mori as mundimin të paraqitet në “Qemal Stafa” dhe bojkotoi ndeshjen e fundit me Tiranën. Presidenca e klubit kavajas vendosi të mos nxjerrë skuadrën në fushë, në shenjë proteste ndaj gjykimeve të padrejta – sipas tyre, – që i janë bërë ekipit të Besës gjatë këtyre javëve të fundit.

Bylis, Lushnja, Kastrioti dhe Besa janë skuadrat që do të luajnë në Kategorinë e Parë, ndërkohë që rikthehen në Superiore ekipet e Elbasanit dhe Apolonisë.

Top Channel