Biznesi i specializimeve në Mjekësi

24/04/2014 00:00

Për të shmangur abuzimet por edhe fenomenin e shitjes së specializimeve në Mjekësi, rektori i këtij universitetit, Ali Refatllari tha se në fillim të vitit të ardhshëm akademik, studentët do t’i nënshtrohen një konkurrimi pranë Qendrës së Provimeve Shtetërore.

“Do realizojmë konkursin në Qendrën Shtetërore të Diplomimit. Kjo do të rrisë transparencën dhe studentët do t’u nënshtrohen pyetjeve të konkursit”, deklaroi Refatllari.

Numri i specializimeve do të përcaktohet pas një konsulte mes profesorëve dhe kërkesave të studentëve për shërbime të caktuara. Profesorët që do të zhvillojnë konkurimin do të qëndrojnë të mbyllur për disa ditë.

“Mendojmë të krijojmë një komision me profesorë të nderuar, që do të qëndrojnë në ambjente të mbyllura derisa të mbarojë konkursi”, shtoi Refatllari.

Universiteti i Mjekësisë, por edhe Qendra Spitalore Universitare prej disa kohësh janë futur në një debat të thellë, çka ka bërë që shumë probleme të brendshme, të cilat mbajnë peng mjekësinë, të dalin në pah.

Top Channel