Gjiknuri: Industria minerare jo produktive

24/04/2014 00:00

Shfrytëzimi i pasurive natyrore përmes industrive nxjerrëse nuk ka dhënë
impaktin e duhur në ekonominë e vendit për shkak të politikave
jotransparente në dhënien e lejeve të shfrytëzimit nga ana e shtetit dhe
shkallës së lartë të informalitetit.

“Publiku akoma nuk ka marrë atë që meriton. Sidomos në minierat shqiptare kemi shumë aktivitete të karakterit ilegal dhe shpesh edhe renta që është për t’u llogaritur nuk llogaritet sic duhet për shkak të aktiviteteve ilegale”, thotë Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë.

Krahas rritjes së kontrollit, për të luftuar kaosin e krijuar në miniera për shkak të fragmentimit të të lejeve të shfrytëzimit, ministri i energjisë tha se qeveria po përgatit ndryshimet e reja ligjore që do të adresojnë këto probleme. Ndërsa sa i përket industrisë së nxjerrjes së hidrokarbureve, Gjiknuri tha se për herë të marë pas 20 vitesh shfrytëzimi i blloqeve të reja të naftës do të jepen përmes ankandit.

‘Fenomeni i marrjes së licencave për t’i tregtuar krijon lidhje të shkurtra me politikën. Prandaj Qeveria ka marrë një vendim që për fushat e pazbuluara të burimeve të naftës, do të jepen me ankand për herë të parë pas 20 vitesh”, tha Gjiknuri.

Ministri i Mjedisit Lefter Koka tha se mungesa e vizionit në dhënien për shfrytëzim të pasurive natyrore i ka shkaktuar jo pak dëme natyrës shqiptare.

“Pasuritë natyrore janë shfrytëzuara barbarisht. Industria nxjerrëse ka shkaktuar jo pak dëme në mjedis, sikurse ka shkaktuar edhe energjetika”, tha Koka.

Deri në fund të vitit, Qeveria do të bëjë transparente listën e operatorëve që kanë përfituar koncensione gjatë këtyre viteve në industrinë nxjerrëse dhe energji dhe fazat e implementimit të tyre.

Të pranishëm në këtë diskutim, ambasadori i OSBE-së, Florian Raunig dhe ai amerikan Aleksandër Arvizu theksuan nevojën e rritjes së transparencës, masave të sigurisë në punë, vecanërisht në sektorin minerar, si dhe luftës kundër informalitetit.

“Një biznes nuk do të investojë në industrinë nxjerrëse pa përfitim, por nëse kjo bëhet sic duhet këto kompani mund të fitojnë para. Investimet do të vijnë në Shqipëri dhe me këto investime do të punësohen njerëz. Më pak informalitet, më shumë formalitet, kjo është e mirë, jo e keqe”, tha Arvizu.

Top Channel