Ndryshimi i ligjit për ILDKP-në

24/04/2014 00:00

Ndryshimi i ligjit për emërimin e kreut të ILDKP-së, që më herët
propozohej nga Presidenti dhe votohej në Parlament, dhe tani ia jep këtë
kompetencë vetëm Kuvendit ka sjellë debate në Kuvend.

Opozita tha se marrja e kompetences së Presidentit eshte shkelje e Kushtetutes, ndersa mazhoranca argumentoi se Kushtetuta eshte miratuar pothuaj 5 vjet me pare se ILDKP te krijohej si institucion dhe rregullohet me nje ligj te vitit 2003.

“Kjo kompetencë është në frymën e Kushtetutës, në frymën e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, në frymën e pavarësisë së tyre relative. Ai është parimi themelor i Kushtetutës dhe doni ta hiqni? Hiqeni, po ku do të përfundoni? Do ta shohim!” tha Berisha.

“Përgëzime zoti Berisha, se po përgjërohesh për një dokument, që nuk e ke votuar, për një dokument që e ke quajtur ‘leckë’. Nuk shkelet, nuk hiqet asnjë kompetencë e Presidentit, që ia ka dhënë Kushtetuta. Përgëzime për herë të dytë, zoti Berisha, se ju mbroni një ligj të vitit 2003, të cilin nuk e keni votuar këtu në Parlament, e keni kundërshtuar në vitin 2003”, tha kryetari i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi.

“Mos përdorni këtë platformë për t’u hedhur hi syve, qytetarëve. Doni ta merrni noterin e pasurive tuaja që zgjodhi njerëz, jo me pupla, por me flatra kartmonedhash. Keni 60 milionë euro nën dyshek dhe nën jastëk. Nuk kisha dëgjuar kurrë. Unë u thoja disa eksponentëve të maxhorancës tuaj sepse bëjnë banjo në vaska floriri, kjo e tejkalon 10 herë vaskën e floririt”, tha Berisha

“Meqë i drejtohesh me maxhorancës që fle në dyshek me para, atëherë shtrohet pyetja se ku fle lepuri? Lepuri fle, se ti ke frikë, bashkë me përfaqësuesit e tu, që ky institucion, i cili ka filluar të lëvizë nga vendi, që në muajin e parë, kur ky institucion ka dy vjet që nuk ka kryer asnjë veprim”, tha Ruçi.

Debati për ILDKP-në, që bëhet vetëm nje dite pasi ky institucion beri publik akuzen per rreth 2 milionë euro te padeklaruara nga gjyqtari Gjin Gjoni, ka sjelle ne podiumin e Kuvendit, çështjen e korrupsionit të zyrtarëve të lartë.

“Ndryshimet që keni sjelle kanë të bëjnë sidomos në marrëdhënie me gjyqësorin. Një politikan i keq, një politikan i korruptuar mund të bëjë dëme, por nuk mund të bëjë aq dëme sa mund të bëjë një gjyqtar i keq apo një gjyqtar i korruptuar. Nuk mund të bëjë aq dëme, sa mund të bëjë një prokuror i keq, apo një prokuror i korruptuar”, tha deputeti socialist, Pandeli Majko.

“A mendoni një sekondë, për ata qytetarë të thjeshtë, për ato nëna që nuk kanë bukë, që nuk kanë punë? I thoni dot një politikani që nuk ka më lidhje me ish-Kryeministrin, një politikani të sotshëm, që dihet për pasuritë e tij përrallore, që nuk i deklaron këto pasuri përrallore, që organizon darka faraonike, yll apo diell? A jemi në vete ne?”, tha deputetja demokrate, Jozefina Topalli.

“Çfarë po marrim ne? KLSH-në që ka të emëruarit tuaj? Banka e Shqipërisë ka guvernatorin tuaj, prokuroria kryeprokurorin tuaj, Gjykata e Lartë dhe Kushtetuesja kanë persona të emëruar nga ju. AMA? AMA ka dy vjet që s’funksionon dhe ka mbrojtur piraterinë”, kundërshtoi deputeti i PS, Erjon Braçe.

Rekordin e fjalimeve e ka mbajtur sërish ish-kryeministri Berisha, që ka replikuar pothuajse pas çdo diskutanti nga pala kundërshtare, ku spikati sërish në deklarimin e tij paralajmërimi për destabilitet të vendit.

“Po çoni vendin me shpejtësi në destabilitet. Do ngremë njerëzit, i keni bërë llogaritë gabim”, tha Berisha.

“E di unë ç’hall ke ti sot. Sepse ka dalë ai bizesmeni që vajza jote i merrte përqindje. Dhe tani del e flet ti për korrupsion”, u shpreh ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Top Channel