Një prokuror ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës parashtroi një aktakuzë kundër dy të pandehurve në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, që lidhet me rastin e ashtuquajtur “Grupi i Drenicës”.

Përmes një komunikate për media, EULEX-i njoftoi se aktakuza ndaj njërit prej të dyshuarve lidhet me një rast të shkeljes së fshehtësisë së procedurës, ndërsa i pandehuri tjetër akuzohet gjithashtu për veprën ‘tentim i pengimit të procedurës zyrtare’.
Top Channel ka mësuar nga burime se  dy të akuzuarit janë gazetari Milaim Zeka si dhe Rrustem Rukolli nga ekipi mbrojtës i kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku.

Gazetari Milaim Zeka po akuzohet nga EULEX-i për transmetimin e intervistës me dëshmitarë të mbrojtur në emisionin e tij “Pa rrotlla”, i cili është transmetuar në televizionin publik të Kosovës.

Lidhur me këtë rast, një ekip hetuesish nga EULEX kishin bastisur muaj më parë shtëpinë dhe zyrat e gazetarit Zeka për të kërkuar dëshmi rreth dyshimeve se Zeka ka frikësuar dëshmitarët në rastin “Grupi i Drenicës”.

Vetë Zeka kishte deklaruar se intervistën që e kishte publikuar në televizion ishte bërë me kërkesë të vetë personit që më pas ishte identifikuar si dëshmitar i mbrojtur.

Aktakuza kundër 15 ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të njohur si “Grupi i Drenicës” është ngritur vitin e kaluar.

Në mesin e të dyshuarve janë 7 ish-eprorët më të lartë të UÇK-së, ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Hysni Thaçi, Zeqir Demaku e Avni Zabeli.

Prokurori i EULEX-it i ngarkon ata me dyshimin se kanë kryer krime të luftës kundër popullatës civile, përfshirë tortura, keqtrajtim të të burgosurve, dhe vrasje të cilat supozohen se janë kryer, gjatë periudhës së luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, në të ashtuquajturën qendër e paraburgimit të UÇK-së në Likoc të Drenicës.

Top Channel