Debati për rikthimin e departamenteve në Universitetin e Mjekësisë ka nxjerrë në sipërfaqe jo vetëm emërimet e njëanshme të shefave të shërbimeve në spitale, por edhe problemet kyçe me të cilat përballen studentët në auditore, por edhe në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.

Krerët e këtij universiteti kanë sjellë shembuj konkretë të abuzimeve të kryera deri më tani, para deputetëve të komisionit të medias dhe arsimit.

“Me këto ndryshime dhe këto borde e komisione ad hoc, ku anëtarët e komisionit janë vetëzgjedhur shefa dhe sot shesin shërbimet e tyre, janë shkelur kriteret ligjore dhe ka pasur konflikte të pastra interesi”, deklaroi rektori Ali Reftallari.

“Nuk mund ta lëmë Universitetin e Mjekësisë të Tiranës peng të disa njerëzve që kanë interesa personale dhe nuk kanë lidhje me atë universitet”, tha nga ana tjetër Mihal Tasa, kryetar i këshillit të profesorëve në UM.

Por ndërsa të ardhurat e këtij universiteti shkojnë deri në 3.5 milionë euro në vit, në spital nuk ka as laboratore dhe as kavie ku mund të eksperimentojnë studentët. Rektori i këtij universiteti tha se tregu abuziv i doktoraturave është evidentuar në disa fakultete dhe po kryhet një audit të brendshëm.

“Pra, u zbrit në atë rang klinikash, në rang shërbimesh, ku u sfumua fare kërkimi shkencor dhe ku linte për të dëshiruar koordinimi i procesit të mësimdhënies tek studentët, tek specializantët dhe tek doktoraturat. Më atë projektligj, doktoraturat përfundonin me nga 2 pedagogë të brendshëm dhe tre të jashtëm. Këto doktoratura firmoseshin tek restorant “Viktoria”. Mbi 80 doktoratura profesor Myqeremi ia ka dhënë vetëm Fakultetit të Infermierisë”, ka thënë më tej rektori Reftallari.

Edhe pse Ministria e Arsimit dhe e Shëndetësisë thanë se nuk do të ketë ndryshime në personat e zgjedhur, por vetëm në vendet e reja që do të krijohen, dekanët dhe shefat e shërbimeve janë shprehur skeptikë për pozicionet e tyre të punës.

Studentët kanë protestuar jashtë se nuk ka diploma, ndërsa rektori tha se shumë shpejt kjo proçedurë do të përfundojë. Nga ana tjetër, dekani i Infermierisë, Petrit Bare dhe i Mjekesisë, Bajram Hysa kanë kundërshtuar rikthimin e departamenteve.

Top Channel