Wilmots: Januzaj do të luajë me Belgjikën

23/04/2014 00:00

Trajneri i Belgjikës, Marc Wilmots, ka deklaruar se talenti i Manchester United, Adnan Januzaj, e ka lidhur të ardhmen e tij ndërkombëtare me ngjyrat e përfaqësueses belge.

19-vjeçari i lindur në Belgjikë nga prindër kosovarë, i cili ka shijuar një sezon debutues në Old Trafford të shkëlqyer këtë vit, konsiderohet si një prej talentëve të rinj më të mirë të futbollit europian.

Ai ka qenë në dilemë për të zgjidhur të ardhmen e tij, pasi ka pasur mundësi të përfaqësojë Belgjikën, si vendlindjen e tij dhe për shkak të pasaportës, Shqipërinë, për shkak të prejardhjes, Turqinë, për shkak të gjyshërve të tij, ashtu sikurse dhe Serbinë apo Kosovën.

Jo në pak raste është pretenduar se adoleshenti do të zgjidhte Shqipërinë, pasi refuzoi fillimisht grumbullimin me kombëtaren e Belgjikës, vitin e kaluar.

Gjithsesi, në llogarinë e tij zyrtare të Twitter-it, Wilmots tha se Januzaj tashmë ka zgjedhur të përfaqësojë vendlindjen e tij, Belgjikën. Anglia ka qenë duke monitoruar procedimet për ta bërë kosovarin lojtar të “3 luanëve”, por me sa duket pa sukses.

Top Channel