Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ftoi të rinjtë që t’i bashkohen forcës më të madhe të opozitës në projektin e saj për t’i dhënë vendit një qeveri europiane dhe të përgjegjshme.

Në mes të të rinjve që u anëtarësuan në Partinë Demokratike, rreth 150 të rinj, kreu i opozitës hapi fushatën e anëtarësimeve për Tiranën.

Një muaj përpara zhvillimit të zgjdhjeve në parti dhe në përpjekje për ringritjen e strukturave pas humbjes së thellë të 23 qershorit, kryetari i demokratëve garantoi çdokënd se Partia Demokratike është e hapur për të gjithë.

“Rinia po vërshon në PD për të marrë përgjegjësi, përgjegjësi po merr dhe do të marrë. Përgjegjësinë e opozitarizmit, ringritjes, fitores dhe atë të qeverisjes”, deklaroi Basha.

Një arsye tjetër përse rinia po bëhet pjesë e forcës më të madhe të opozitës, sipas zotit Basha qëndron në revoltën qytetare kundër mënyrës anti-demokratike të qeverisjes së vendit nga koalicioni i majtë i kryeministrit Rama dhe kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

“Ata nuk janë të majtë. Ata janë oligarkë që mendojnë vetëm për veten e tyre. Prandaj rinia do të vërshojë në PD, sepse është e vendosur të ndalë këtë të keqe të madhe. Beteja jonë e ka emrin gjithëpërfshirje, të rinisë dhe gjithë shqiptarëve”, u shpreh Basha.

Top Channel