Gjin Gjoni mashtroi për pasurinë

23/04/2014 00:00

Për herë të parë një gjyqtar kallëzohet penalisht dhe përfundon vetë përpara drejtësisë për çështjen e pasurisë, atë që të gjithë e thonë nën zë, por asnjëri asnjëherë nuk ka vepruar.

Rreth 1.8 milion euro, 53 milionë lekë të reja dhe 180 mijë dollarë është pasuria e padeklaruar e gjyqtarit të Apelit, Gjin Gjoni, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Shifrat janë publikuar nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, duke e renditur gjyqtarin Gjoni në krye të zyrtarëve të lartë me pasurinë më të madhe të padeklaruar e të konstatuar nga ky institucion.

Pas hetimit të inspektorëve të ILDKP-së, gjyqtari Gjin Gjoni, së bashku me bashkëshorten Elona Çaushi janë kallëzuar penalisht nga ky institucion, për veprat penale të fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë në bashkëpunim, falsifikimit të dokumentave në bashkëpunim, pastrimit të produkteve të veprës penale në bashkëpunim dhe korrupsionit, parashikuar nga Kodi Penal.

ILDKP vjen në këtë akuzë pasi ka renditur 18 shkelje të gjyqtarit Gjoni dhe bashkëshortes së tij. Sipas ILDKP-së, shkeljet nisin nga falsifikimi i kontratës së shitjes së një shoqërie në pronësi të tij, nga 300 mijë euro të vlerës reale, e deklaruar prej tij vetëm 70 mijë lekë, vijon me deklarimin e rremë të burimit të krijimit të aseteve të deklaruara për shumën 300 mijë euro, si dhe falsifikim, deklarim i rremë dhe burim jo i ligjshëm i parave, të dhëna me hua nga Gjoni, që kapin shumën prej rreth 299 mije eurosh.

Të njëjtën shkelje ka vënë re ILDKP edhe për dy kontrata të tjera huamarrjeje nga gjyqtari Gjoni. Inspektoriati i bashkangjit këtyre shkeljeve edhe atë të deklarimit të rremë të kontratës së blerjes së vilës rezidenciale në Farkë, në shumën 700 mije euro, fshehje të blerjes së një lokali nga bashkëshortja e tij në 2010, fshehje të një aktiviteti tregtar kozmetik në 2012, ku bashkëshortja e Gjonit rezulton, sipas ILDKP, 100% zotëruese e kapitalit, fshehje të një shoqërie tjetër tregtare, ku sërish Elona Çaushi rezulton me 50% të aksioneve.

ILDKP ka konstatuar gjithashtu edhe disa shkelje ligjore që kanë të bëjnë me falsifikim dokumentash dhe deklarim të rremë te blerjes me kredi të automjetit tip “Benz”, me vlerë 62 mije euro në vitin 2010, dy apartamenteve në Tiranë përkatësisht me vlerë rreth 53 milionë lekë dhe 176 mijë euro, si dhe rreth 250 mijë euro të shpenzuara për 236 udhëtime jashtë vendit.

Për këto shkelje, ILDKP ka paditur së bashku me gjyqtarin Gjoni dhe bashkëshorten e tij edhe dy notere, Margena Çela dhe Gentiana Shkodra. ILDKP bën me dije se paralelisht me kallëzimin penal do të nisë edhe vetë brenda institucionit hetimin administrativ për shkaqet dhe përgjegjësitë që një çështje e tillë, siç e quan, “me prova të qarta” nuk është kallëzuar më parë penalisht, por është mbyllur nga inspektoriati si e rregullt, pa probleme dhe në përputhje me ligjin.

Top Channel