Kriza e kreditimit të biznesit

23/04/2014 00:00

Guvernatori Ardian Fullani pranoi para Kuvendit, se masat e Bankës së
Shqipërisë për të nxitur kredinë dhe rritjen ekonomike nuk dhanë efektin
që pritej. Por sipas tij, arsyet se pse kredia po tkurret gjenden
përtej Bankës Qendrore.

“Mekanizmi i transmetimit të politikës monetare, ka probleme si pasojë e pasigurive të sektorit privat dhe të sektorit bankar për të ardhmen. Ky fenomen reflekton më së miri politikat e kujdesshme të adoptuara nga grupet e mëdha europiane, mëmat e bankave tona, ndaj ekspozimit të tyre në kreditim. Ai reflekton gjithashtu edhe mungesën e kërkesës për konsum e investim të ekonomive”, tha Guvernatori.

Zoti Fullani tha se kredia do të rritet vetëm pasi t’i jepet zgjidhje këtyre dy problemeve dhe për këtë kërkoi që edhe Qeveria të bëjë pjesën e saj.
 
“Për përmirësimin e klimës së biznesit, për zhvillimin e një modeli të ri të rritjes ekonomike, të bazuar në aktivitetet prodhuese dhe eksportuese, si dhe për zgjidhjen e problemeve ligjore, ende të pranishëm në fushën e ekzekutimit të kolateralit”, tha Fullani.

Por, deputeti socialist Anastas Angjeli deklaroi se edhe Banka Qendrore ka përgjegjësitë e saj për krizën e kredive.

“Banka e Shqipërisë, mendoj se duhet të luajë një rol më aktiv në mbështetjen e ekonomisë, në krijimin e stimujve për të përmirësuar më tej klimën e kredidhënies në vend, zbutjen e politikave konservatore të bankave në kreditim, që shfaqen edhe nëpërmjet kushteve të tjera të zbatuara nga bankat me aktivitete kredituese”, tha Angjeli.
 
Ish-ministër i Financave, Angjeli deklaroi se banka duhet të bënte më shumë edhe për të frenuar Qeverinë për të mos rritur borxhin.
 
“Duhet të rrisim më tej rolin e saj, si sinjalizator, për reagime të shpejta ndaj zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vend, së dyti, aq sa i takon, Banka e Shqipërisë duhet të jetë më aktive në ruajtjen e nivelit të borxhit publik”, tha Angjeli.

Guvernatori paraqiti një raport të gjerë mbi arsyet që çuan në ngadalësimin e fortë të ekonomisë vitin e kaluar, por paralajmëroi se edhe ky vit mund të jetë i vështirë.

Top Channel