Kontrolli parlamentar mbi SHISH

23/04/2014 00:00

Opozita u largua nga Komisioni i Sigurisë, duke mospranuar të votojë për
ngritjen e një grupi kontrolli për veprimtarinë e SHISH-it.

Shkak, sipas nenkryetarit të këtij Komisioni, Flamur Noka është kërkesa për seancë dëgjimore me ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli, lidhur me akuzat e perfshirjes se ushtrise ne trafikun e droges.

“Nuk dua të paragjykoj as faktet apo arsyet pse ministrja fshihet dhe nuk vjen, por po ju them se nuk mund të zhvillohen mbledhje të tjera për histori përrallash, si kjo e sotmja, pa u zhvilluar seanca dëgjimore me ministren e Mbrojtjes për këtë çështje kaq të rëndësishme”, tha Noka.

Kreu i Komisionit, Spartak Braho tha ne sqarimet e tij, se eshte ngritur nje Komision Hetimor Parlamentar për këtë çështje.

“Nuk është shmangur ministrja e Mbrojtjes nga raportimi në Kuvend dhe në Komision. Ministrja e Mbrojtjes është njoftuar në momentin që do të diskutohej në mbledhje të posaçme të Komisionit, nëqoftëse do të thirrej apo jo, dhe ju keni qenë prezentë, zotërinjtë u larguan dhe nuk paraqitën asnjë lloj shkrese”, tha Braho.

Noka, ne emer te opozites perpara se te largohej nga Komisioni, tha se, ngritja e ketij grupi kontrollit eshte joligjore, gje qe u kundetshtua me pas nga deputetet Pirro Lutaj e Luan Rama.

“Ekzekutivi sjell përfaqësuesit për të kontrolluar Parlamentin dhe kjo dje ndodhi dhe prapë sot ju sjell për t’ju kontrolluar dhe për t’ju urdhëruar se cfarë të bëni. I thoni ekzekutivit, i thoni Qeverisë se ka mekanizma ligjore shumë normalë për të bërë kontroll dhe nuk ka nevojë për të krijuar komisionet punëtorë-fshatarë”, tha Noka.

“Për të shmangur ato gojët e liga të Flamurit apo flamujve pa bisht si puna e atij, që e injorojnë një të drejtë ligjore të deputeteve për të ushtruar mbikëqyrje parlamentare nëpër institicionet përkatëse. Neni 3 thotë shprehimisht: Komisionet e përhershme, brenda fushës përkatëse të përgjegjësisë, mund të kryejnë kontrolle ose të kërkojnë dokumentacione që i konsiderojnë të nevojshme për shqyrtimin e një çështjeje të caktuar”, tha Lutaj.
 
Mazhoranca percaktoi edhe tre deputetet, Lutaj, Qefalia dhe Ndreu, si anetare te grupit te kontrollit dhe la dy vende bosh, per anetaret e opozites.

Top Channel