FIFA: Barcelona mund të bëjë merkato

23/04/2014 00:00

Presidenti i Komisionit të Apelit të FIFA-s, Larry Mussenden, ka vendosur që Barcelona mund të bëjë merkato në periudhën e shit-blerjes së ardhshme të futbollistëve që do të nisë më 1 korrik. Derisa ai të studiojë në thellësi çështjen, Barcelona mund të blejë lojtarë.

FIFA ka marrë një vendim të tillë duke u nisur nga “kompleksiteti i çështjes, data e nisjes së merkatos së ardhshme” dhe faktit që Komisioni i Apelit nuk mund të marrë asnjë vendim përfundimtar “në kohë për të garantuar një apelim të mundshëm të klubit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv”.

Komisioni i Disiplinës i FIFA-s e kishte dënuar klubin spanjoll dhe Federatën Spanjolle të Futbollit (RFEF) për “shkelje në lidhje me tranferimet dhe regjistrimet e lojtarëve më të vegjël se 18 vjeç”.

Katalanasit ishin dënuar për parregullsi në blerjet e 12 lojtarëve.

Top Channel