Mou: Kopjuam lojën e Atleticos

23/04/2014 00:00

Jose Mourinho deklaroi pas barazimit 0-0 ndaj Atletico Madrid në stadiumin Vicente Calderon se Chelsea u mbyll në mbrojtje në mënyrë që të mos linte kundërshtarin të bënte lojën e tij.

“I thashë lojtarëve të mi që të mos e mbanin topin pasi Atletico bën presion në mënyrë të shkëlqyer kur nuk e ka atë. E bllokuam Atleticon ashtu siç bën zakonisht kjo skuadër me kundërshtarët e saj”, shpjegoi trajneri portugez.

Mou e analizoi kështu ndeshjen: “Rezultati i përgjigjet lojës. Courtois nuk bëri asnjë pritje të rëndësishme, e njëjta gjë mund të thuhet për Schwarzer. Një ndeshje burrash, e luftuar dhe taktike. Atletico pati zotërimin e topit, por ne morëm një rezultat të mirë.”

Më tej, portugezi deklaroi se kjo ishte hera e parë që Atletico Madrid duhet të fitonte patjetër një ndeshje në shtëpi: “Për herë të parë u duhej fitorja në shtëpi. Kundër Milanit dhe Barcelonës nuk e kishin të nevojshme fitoren dhe luajtën pa presion.”

Top Channel