Prokurorë në Athinë për zemrën e Karelit

22/04/2014 00:00

Një prokuror dhe një ekspert i mjekësisë ligjore janë nisur drejt Greqisë me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, për të tërhequr ato që konsiderohen si prova të rëndësishme për hetimet e nisura në Fier për vdekjen e Ilia Karelit.

Një burim i tha Top Channel se përfaqësuesi i Prokurorisë dhe i Morgut do të marrin në Athinë zemrën, që është mbajtur nga autoritetet e mjekësisë ligjore greke, si edhe disa inde lëkure të hequra nga trupi i të ndjerit.

Ndërkohë, Prokuroria e Fierit pohon se për vdekjen e Ilia Karelit, i njohur edhe si Kudret Kume, kanë nisur hetimet pas kallzimit të familjarëve të tij për vrasje në rrethana cilësuese, që nënkupton sipas ligjit vrasje përgjate torturave, ashtu sikurse ka dyshime të forta.

Në rast se, në Greqi, gardianët dënohen vetëm për shpërdorimin e detyrës, apo tejkalim të detyrave funksionale, Prokuroria shqiptare do t’i hetojë për llogari të saj gardianët e Burgut të Nigridas, edhe pse Prokuroria greke thuhet se ka si provë të akuzës ndaj 15 gardianëve, momentet kur shfaqet i dënuari 42-vjeçar teksa torturohet.

Më herët, mjekësia ligjore shqiptare kërkoi argumenta, se përse homologët grekë e kishin mbajtur zemrën e Ilia Karelit, një pyetje kjo, që pritet të marrë përgjigje bashkë me udhëtimin e grupit hetimor shqiptar në Athinë.

Top Channel