Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilësoi futjen në kalendarin e Kuvendit të reformës administrativo-territoriale pa konsensusin e opozitës si një përpjekje për të grabitur procesin zgjedhor.

“Për këtë javë kanë futur në kalendarin e punimeve të Kuvendit manipulimin elektoral dhe politik të hartës administrative dhe territorale përmes një pseudo-reforme, pa konsensusin e opozitës dhe kundër interesave të qytetarëve. Shumica si asnjëherë tjetër në këto 23 vite refuzoi konsensusin në Kuvend, refuzoi bashkëjetesën politike”, tha ai.

Ligji për nëpunësin civil, ndryshimet në ligjin për Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe ai në Inspektoriatin e Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, për opozitën janë përpjekje të mazhorancës së majtë për të vënë nën kontroll institucionet e pavarura, përfshirë këtu edhe atë që PD e quan marrje e kompetencave të Presidentit të Republikës.

“Emërimi i kreut të ILDKP-së nga Kuvendi me propozim të Presidentit është një element kontrolli dhe balance që garanton pavarësinë e ILDKP-së, që garanton transparencë dhe suksesin në luftën kundër korrupsionit. Me marrjen e kësaj kompetence, Rama-Meta legalizojnë kapjen e paligjshme të institucionit. Po dje u hapën rrugë për ndryshime në ligjin e KLSH dhe po përgatitet heqja e kompetencave të Presidentit si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. I gjithë ky revansh përkon në kohë me aminstimin famëkeq të blerjes së votave në Korçë”, tha kreu i PD-së.

Opozita thotë se me këto ndryshime është në rrezik demokracia parlamentare dhe shteti ligjor dhe përballë asaj që kreu i demokratëve e quan si hapësirë e ngushtuar në Kuvend, opozita do të kërkojë forma të tjera proteste, duke iu referuar këtu manifestimeve në rrugë.

“Jam këtu për të denoncuar publikisht autorët e këtij revanshi të pashembullt. I paralajmëroj në emër të PD, të opozitës shqiptare, në emër të të gjithë shqiptarëve që kanë në mendje dhe zemër idealet e qeverisje demokratike, hiqni dorë nga kapja e shtetit, nga zhbërja e demokracisë parlamentare! Hiqni dorë nga agresioni kundër votës së lirë dhe të barabartë! votuesit ju kanë votuar për të realizuar premtimet tuaja, jo për të shkatërruar demokracinë. Partia Demokratike, opozita dhe qytetarët nuk do ta lejojnë në asnjë mënyrë projektin tuaj ogurzi oligarkik”, tha Basha.

Pd është e angazhuar në luftëne  saj parlamentare, por nuk do të mjaftohemi me hapësirën gjithmonë e më të ngushtuar të parlamentarizmit në shqipëri, ndaj ne do t’i kthehemi sovranit dhe do të bëjë të mundur mbrojtjen e demokracisë parlamentare dhe shtetit ligjor me cdo kusht.

PS: Vendimet në dobi të qytetarëve

Partia Socialiste reagoi menjëherë përmes deputetes Olta Xhaçka duke deklaruar se nismat e mazhorancës, sidomos ajo e reformës territoriale dhe administrative është në dobi të qytetarëve.

“Zoti Basha dha sot një deklaratë për shtyp ku u ankua për një listë nismash të mazhorancës, mes të cilave edhe për reformën administrativo-territoriale që do t’u kursejë shqiptarëve miliona dollarë sikurse do t’u ofrojë qytetarëve shërbime më cilësore dhe më efikase. U ankua për reformën por ende nuk arrin të shpjegojë arsyen se përse opozita refuzon të bëhet pjesë e kësaj reforme, pavarësisht se mazhoranca i ka siguruar asaj barazi të plotë përfaqësimi dhe vendimarrje. Zoti Basha në deklaratën e sotme harroi pa listuar edhe një sërë nismash të mazhorancës të cilat kanë një efekt të drejtpërdrejtë mbi qytetarët shqiptarë”, deklaroi deputetja e PS, Olta Xhaçka.

Top Channel