Mbështetje për peshëngritjen

22/04/2014 00:00

Mazhoranca e majtë do të përmirësojë ligjin për sportin dhe do t’i mbështesë akoma më shumë sportistët elitarë të cilët përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Ky është mesazhi që dha Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, pas takimit me ekipin kombëtar të peshëngritjes.

“Përveç përkrahjes morale, do të ketë një përkrahje konkrete nga ana e qeverisë përmes përmirësimeve në legjislacionin për sportin, ku detyrimet e shtetit do të jenë shumë më të qarta, sidomos ndaj sportistëve elitarë”, tha Meta.

Ndërsa Fidel Ylli theksoi: “Brenda këtij legjislacioni ne do të bëjmë një paketë për sportistët elitarë, një paketë që do të jetë nga më të mirat në Europë. Sportisti ta dijë që kur të dalë kampion, do të ketë një punë, do të ketë konkurrim të lirë në dy shkolla: Shkollën e Policisë dhe në Universitetin e Sporteve. Gjithashtu do të ketë shpërblime.”

Kampioni i Europës Erkand Qerimaj theksoi se plotësimi i premtimeve do ta bëjë më të lehtë punën e sportistëve në kompeticionet ndërkombëtare: “Unë besoj se flamuri shqiptar do të ngrihet lart sërish në garat e ardhshme dhe puna jonë do të jetë më e lehtë falë mbështetjes së qeverisë.”

Në fund, Fidel Ylli, një nga nismëtarët e projektligjit të ri për sportin, theksoi se shumë shpejt do të marrë fund kalvari i vuajtjeve të peshëngritësve për të kryer stërvitje në kushte normale pasi brenda pak kohësh qeveria do t’i bëjë dhuratë FSHP-së një palestër moderne.  

Top Channel