Qeveria e Kosovës e ka miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian që i hap rrugë edhe zyrtarisht krijimit të Gjykatës Speciale, si dhe vazhdimit të misionit të EULEX-it deri më 2016.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi e ka shpalosur në detaje draftin e marrëveshjes që pritet të miratohet të mërkurën në Kuvend me dy të tretat e votave të deputetëve. Por Kuçi nuk ka dhënë asnjë detaj rreth krijimit të Gjykatës Speciale që do të merret me krimet e supozuara të UÇK-së.

“Ky ligj do të ratifikojë marrëveshjen ndërkombëtare në tërësi, përfshirë këtu, por pa u kufizuar, në zgjatjen e mandatit të EULEX-it në fushat e parapara deri më datë 15 qershor të vitit 2016, me përjashtim të Task Forcës speciale hetuese të cilës mandati dhe pavarësia do t’i garantohet me këtë marrëveshje”, ka thënë Kuçi.

Kuçi po ashtu ka shpjeguar edhe aspektet tjera të përmbajtjes së projektligjit që rregullojnë imunitetin dhe armëmbajtjen e stafit të EULEX-it, gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë.

Menjëherë pasi qeveria miratoi draftin e marrëveshjes, ka reaguar ambasada amerikane në Prishtinë, e cila ka inkurajuar deputetët kosovarë që të mërkurën t’i japin votën pro marrëveshjes që i hap rrugë Gjykatës Speciale për UÇK-në.

“Ne tani apelojmë anëtarët e Kuvendit të Kosovës që të mbajnë këtë momentum duke miratuar krijimin e një gjykate të Kosovës për t’u marrë me pohimet serioze nga raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2010. Bota është duke parë a është Kosova e përkushtuar për një proces juridik, që me paanshmëri mund t’i zgjidhë këto pohime përfundimisht”, thuhet në komunikatë.

Në reagimin e saj, ambasada amerikane ka shkruar se, pavarësisht ndjeshmërisë së punës së Gjykatës Speciale, ky është opsioni më i mirë për mbylljen e këtij kapitulli të historisë së Kosovës.

Top Channel