Puna, shqiptarët më të diskriminuarit

22/04/2014 00:00

Në të gjithë Europën juglindore shqiptarët kanë numrin më të lartë të punësimeve pa kontrata, ndërkohë që  papunësia te të rinjtë është mbi 32 përqind. I lart është edhe treguesi i diskriminimit seksual, por edhe politik. Të dhënat janë bërë publike pas një studimi të grupit “HedHunter”.

Mbi detajet e këtij studimi ka folur në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” Elton Ilirjani, drejtori i “The HedHunter”.

Pandi Gjata: Cilat janë disa nga konkluzionet e këtij studimi të rëndësishëm për tregun e punës?

Elton Ilirjani: Ky është një studim, i cili është bërë në Europën juglindore, por kryesisht është fokusuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Bosnje dhe Maqedoni. Nëpërmjet internetit janë intervistuar rreth 10 mijë të rinj. Ky studim është bërë në “Facebook” dhe website të ndryshme dhe me aktorë të tjerë që ne kemi, të intervistuarit janë kryesisht të rinj dhe mosha mesatare është 28 dhe 29 vjeç

Pandi Gjata: Nëse i referohemi tregut të punës, ku renditet Shqipëria në analizën tuaj?

Elton Ilirjani: Fatkeqësisht Shqipëria renditet e fundit, nëse marrim rastin e kontratës. Rreth 20% e të rinjve që janë intervistuar kanë deklaruar që janë të punësuar, por pa kontratë dhe papunësia e të rinjve në Shqipëri është në masën 40%. Këto shifra janë vërtet alarmante për sa i përket tregut të punës, në renditemi edhe pas Kosovës, ku situata është ndryshe, rreth 15% e të intervistuarve atje janë pa kontrata pune.  

Pandi Gjata: Cili nga këto vende e ka tregun më mirë të rregulluar?

Elton Ilirjani: Në studim e parë është renditur Maqedonia nga 5 vendet e rajonit, vetëm 7% e të intervistuarve, të cilët janë në punë, janë pa kontratë pune, papunësia është 23%.

Pandi Gjata: Kampioni i të intervistuarve është i matshëm për të treguar realitetin në Shqipëri?

Elton Ilirjani: Besueshmëria e këtij studimi është mbi 95%, duke qenë se janë intervistuar kryesisht të rinj dhe nëpërmjet internetit, i cili është më i përdorshëm nga ata.

Pandi Gjata: Në këtë pyetësor ju keni patur edhe çështje të favoreve apo ngacmimeve seksuale në marrëdhëniet e punës, cilat janë disa prej rezultateve?  

Elton Ilirjani:
Në Shqipëri ka pasur një rezultat vërtet befasues pasi 10% e të intervistuarve deklarojnë se kanë pasur marrëdhënie seksuale në punë, me kolegë vartës apo eprorë, në Kosovë është në masën 2% dhe në Maqedoni fare e papërfillshme. Meshkujt janë ata që e pranojnë se kanë pasur marrëdhënie. Ky është një studim akademik, duke përfshirë edhe institucione të tjera. Ky studim ka mjaft rezultate pasi pyetësori ka qenë i gjatë, me rreth 120 pyetje. Kemi përgjigje të veçanta, diskriminimi në punë. Nga studimi rezulton se ka diskriminim në punë.

Pandi Gjata: Si paraqitet treguesi i diskriminimit në pyetësorin tuaj?

Elton Ilirjani: Diskriminimi vjen në 2 forma, në institucionet publike dhe kompanitë private. Gjinia është një nga prirjet e diskriminimit në kompanitë private. Për shembull drejtuesit e kompanive mendojnë se femrat nuk janë të afta për një profesion të caktuar. Në institucionet shtetërore vazhdon diskriminimi politik.

Pandi Gjata: Diskriminimi politik renditet në vendet e para?

Elton Ilirjani: Të rinjtë e punësuar në institucionet publike të rinjtë janë të diskriminuar politikisht. Në të gjithë Ballkanin shfaqet edhe diskriminimi etnik. Në Maqedoni shqiptarët janë shumë të diskriminuar.

Top Channel