Schumacher, edhe pse në koma, denoncohet

21/04/2014 00:00

Michael Schumacher është duke luftuar me vdekjen, por në këtë moment të vështirë të jetës së tij është denoncuar.

Gjermani, i cili ndodhet në koma prej 29 Dhjetor, akuzohet se ka shkaktuar rënien e një motoçiklisti në Sevilla, më 17 Nëntor 2013.

Ish-ferraristi gjendej në Spanjë për një vizitë private dhe, pasi kishte hipur mbi një Audi A4 me qira, është bërë protagonist i një incidenti pasi nuk kishte respektuar sinjalistikën rrugore, në një pjesë rruge shumë pak të ndriçuar, siç lexohet në deklaratën e policisë iberike.

Gjatë këtyre ditëve, avokati i motoçiklistit ka dorëzuar një denoncim, të nevojshëm për të bërë të mundur procedurat civile e penale, duke qenë se në Spanjë, këto lloj incidentesh mund të ndiqen penalisht vetëm pas denoncimit të palës së dëmtuar.

Kjo është ajo që parashikon kodi penal i Spanjës. Përveç Schumacher-it, denoncimi i është prezantuar edhe shoqërisë që i kishte dhënë makinën me qira gjermanit, ashtu sikurse dhe shoqërisë së sigurimeve.

Top Channel