Guardiola: Ndaj Realit s’kam qenë kurrë favorit

21/04/2014 00:00

Madridi do të jetë epiqendra e futbollit europian në 2 ditët e ardhshme të kësaj jave, pasi dy klubet më të mëdha të kryeqytetit spanjoll, Atletico dhe Real, do të presin respektivisht Chelsea-n dhe Bayern Munchen, në takimet e para të gjysmëfinaleve të Champions League, për këtë sezon.

E ndërsa nuk përbën aspak surprizë të shohësh kampionët në fuqi të Europës, Bayern-in, të arrijë deri në këtë fazë të këtij kompeticioni, së bashku me 9 herë fituesit e Realit dhe Chelsea-n, fituesit e fundit anglezë të këtij trofeu, vetëm pak vetë mund të kishin parashikuar Atletico-n të shkonte kaq larg, 40 vjet pas prezencës së parë dhe të vetme në finale të Ligës së Kampionëve.

Të mërkurën, 23 Prill, Real Madrid-Bayern Munchen. Ora 20:45

Nuk ka shumë gjëra, të cilat Pep Guardiola të mos dijë rreth spanjollëve të Real Madrid, ashtu sikurse dhe Carlo Ancelotti në lidhje me Bayern Munchen, i cili nuk është mposhtur asnjëherë në 6 takime kundër bavarezëve, gjatë periudhës së tij në krye të Milanit, duke arritur 4 fitore dhe 2 barazime.

Që kur arritën të shpallesin zyrtarisht kampionë të Bundesligës, në një kohë rekord me 7 ndeshje nga fundi i sezonit, forma e gjigantëve bavarezë ka pësuar rënie sidomos në kampionat, duke mos shënuar për herë të parë këtë sezon 3 ndeshje pa fitore, e për më tepër që njëra nga to ishte humbja 3-0 ndaj rivalëve të Dortmund-it. Edhe pse arritën të fitonin në fundjavë ndaj Braunschëeig të vendit të fundit, performanca e tyre nuk dukej bindëse. Në raport të kundërt është situata te Real Madrid, teksa “Los Blancos” arritën të ngrejnë trofeun e parë të sezonit, pasi mposhtën 2-1 Barcelonën në finalen e Kupës së Mbretit, e për më tepër në mungesë të Cristiano Ronaldo-s. Portugezi do të rikthehet kundër gjermanëve, gjithsesi, ndërkohë që Real do të rikthejë vëmendjen tek ëndrra për t’u kurorëzuar për të dhjetën herë kampion Europe.

Lojtari për t’u vëzhguar: Gareth Bale

Uellsiani Bale po kalon një formë tejet të mirë, teksa e tregoi këtë edhe me një gol të mrekullueshëm kundër Barcelonës, pak ditë më parë, pas një inkursioni personal nga e majta dhe një sprinti të jashtëzakonshëm, duke u dhënë të drejtën e festimit madrilenëve përballë katalanasve. Me Cristiano Ronaldo-n dhe Karim Benzema, në vijën e parë të sulmit “merengues”, Bale do të përbëjë një kërcënim serioz për prapavijën e Bayern.

Përballjet direkte

Jo më pak se 20 ndeshje janë zhvilluar mes këtyre dy gjigantëve në kompeticionet elitare të Europës, teksa në superioritet janë bavarezët me 11 fitore, 2 barazime dhe vetëm 7 humbje kundrejt Realit.

Statistika

Bayern Munchen ka arritur kualifikimin në 3 gjysmëfinale radhazi tashmë, në Champions League.

Plot 14 gola ka shënuar në këtë kompeticion Cristiano Ronaldo, këtë sezon, duke barazuar rekordin e Lionel Messi-t, të vendosur sezonin e shkuar.

Thënia e ditës

“Sa herë që kam shkuar në ‘Bernabeu’, qoftë si lojtar, qoftë si trajner, nuk jam ndjerë kurrë si të isha unë favoriti. Kundër Real Madrid-it nuk ka aspak rëndësi se cili trajner është, apo cilët lojtarë janë. Ata mund të të ndëshkojnë në çdo moment”, është shprehur trajneri i Bayern Munchen, Pep Guardiola.

Top Channel