Futbolli me sytë nga Madridi, Atletico-Chelsea

21/04/2014 00:00

Madridi do të jetë epiqendra e futbollit europian në 2 ditët e ardhshme të kësaj jave, pasi dy klubet më të mëdha të kryeqytetit spanjoll, Atletico dhe Real, do të presin respektivisht Chelsea-n dhe Bayern Munchen, në takimet e para të gjysmëfinaleve të Champions League, për këtë sezon.

E ndërsa nuk përbën aspak surprizë të shohësh kampionët në fuqi të Europës, Bayern-in, të arrijë deri në këtë fazë të këtij kompeticioni, së bashku me 9 herë fituesit e Realit dhe Chelsea-n, fituesit e fundit anglezë të këtij trofeu, vetëm pak vetë mund të kishin parashikuar Atletico-n të shkonte kaq larg, 40 vjet pas prezencës së parë dhe të vetme në finale të Ligës së Kampionëve.

Të martën, 22 Prill, Atletico Madrid – Chelsea. Ora 20:45

Zbulimi i këtij viti, Atletico, mbetet idealisht një pretendent për të fituar La Ligën këtë sezon, ndërkohë që shpresat për titull të Chelsea-t pësuan një goditje të rëndë, pas humbjes 2-1 në “Stamford Bridge” ndaj Sunderland në fundjavë.

Madrilenët “e vegjël” janë i vetmi ekip i pamposhtur në këtë kompeticion, me 8 fitore dhe 2 barazime deri më tani, të cilat i atribuohen strategjisë së ndjekur prej tyre: një fillim ndeshje tepër i shpejtë dhe më pas fokusi përpara, me një mesfushë tepër “shkatërruese”.

Eksperienca e dinakëria e Jose Mourinho-s, trajneri i parë që numëron 8 gjysmëfinale të Champions-it deri tani, mund të rezultojë decizive, pikërisht siç ndodhi kur londinezët eliminuan Paris St Germain, me rregullin e golit në transfertë.

Në krahun tjetër, homologu i tij rival Diego Simeone, pavarësisht se i mungon eksperienca, shquhet për aftësinë e injektimit te lojtarët e tij të dëshirës “përvëluese” dhe asaj për të fituar, kualitete këto që triumfuan me eliminimin e Barcelonës me rezultatin e përgjithshëm 2-1.

Mbrojtësi i Chelsea-t, Branislav Ivanovic, do të mungojë për shkak pezullimi, ndërkohë që nga 4 lojtarë për secilin ekip rrezikojnë të mos luajnë në ndeshjen e kthimit.

Lojtari për t’u vëzhguar: Diego Costa

Spanjolli me rrënjë braziliane ka rezultuar një pasues i denjë i “të pazëvendësueshmit” Radamel Falcao tek Atletico. Një sulmues i fuqishëm, luftarak dhe i kompletuar, 25-vjeçari ka shënuar 35 gola këtë sezon, 27 prej të cilave në 32 ndeshje të La Ligës, me një mesatare prej 0,76 gola për ndeshje. Mbetet për t’u parë “beteja” e tij me mbrojtjen e Chelsea-t dhe me John Terry-n në veçanti.

Përballjet direkte

Chelsea dhe Atletico janë përballur vetëm 2 herë në këtë kompeticion, në fazën e grupeve gjatë sezonit 2009-10, teksa “blutë” e Londrës fituan 4-0 në shtëpi dhe barazuan 2-2 në Madrid.

Statistika

Vetëm 1 finale ka zhvilluar Atletico në kupat europiane. Performanca e vetme daton në Maj 1974 kundër Bayern Munchen, me të cilët barazuan 1-1 ndeshjen e parë (me kohë shtesë) dhe gjermanët fituan 4-0 në ndeshjen përsëritëse.

Dy lojtarë të Chelsea-t, Frank Lampard dhe John Terry, do të barazojnë rekordin britanik të Ryan Giggs prej 7 ndeshjesh gjysmëfinale të zhvilluara në Champions League, nëse do të luajnë ditën e martë.

Thënia e ditës

“Kjo nuk është një ndeshje e rastit në këtë moment për ne. Është një finale që duhet të zhvillojmë tani”, ka thënë Diego Simeone, trajner i Atletico Madrid.

Top Channel