Gjyqtarët: Mos publikoni hetimet ndaj nesh

21/04/2014 00:00

Vala e kritikave dhe akuzave zyrtare dhe publike në adresë të gjyqtarëve
të veçantë dhe sistemit gjyqësor në tërësi, ka shkaktuar reagimin e
Unionit të Gjyqtarëve, të cilët kërkojnë ruajtjen e konfidencialitetit
të verifikimit apo hetimit të çështjeve ndaj tyre dhe mospublikimin e
ankesave ndaj tyre.

Unioni i Gjyqtarëve sjell në vëmendje parimet thelbësore të Kombeve të Bashkuara mbi pavarësinë e gjyqësorit.

“Një akuzë apo ankesë e bërë ndaj një gjyqtari në kapacitetin profesional dhe gjyqësor duhet të shqyrtohet me shpejtësi dhe drejtësi, bazuar në një procedurë të përshtatshme. Gjyqtari duhet të ketë të drejtën e një procesi të drejtë dëgjimor. Hetimi i rastit në fazën fillestare duhet të mbahet konfidencial, përveç kur vetë gjyqtari kërkon ndryshe”, thuhet në këto parime.

Duke iu referuar publikimit të çështjeve, vendimeve dhe emrave konkrete të gjyqtarëve, Unioni rikujton rekomandimet e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, për eficencën e drejtësisë.

“Vendimet e gjyqtarëve nuk duhet të jenë subjekt rishikimi, përveç procedurës apeluese ose rishikuese, sikurse parashikohet në ligj. Pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ duhet të shmangin kriticizmin që minon pavarësinë apo besimin e publikut tek gjyqësori. Ata gjithashtu duhet të shmangin veprimet që mund të tregojnë mungesën e vullnetit të tyre, për t’iu bindur vendimeve të gjyqtarëve, përveçse mund të deklarojnë qëllimin e tyre për të apeluar”, thuhet në këto rekomandime.

Duke aluduar për portalin e Ministrisë së Drejtësisë, për denoncimin e korrupsionit në drejtësi, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë vlerëson se qasja e unionit në publik të ankesave ndaj gjyqtarëve, duhet t’i përmbahet këtyre standardeve dhe parimeve, në të kundërt dëmton pavarësinë e gjyqësorit dhe besimin e publikut tek drejtësia.

Top Channel