Prezantohet paketa për fasonët

21/04/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama ka paraqitur para biznesit paketën e posaçme të
mbështetjes për industrinë e fasonit. Kjo paketë përmban 40 masa
lehtësuese, si dhënia e ambienteve me 1 euro, rimbursimi i TVSH-së
brenda 30 ditëve, mbështetje e drejtpërdrejtë me fonde nga buxheti dhe
një sërë lehtësirash të tjera fiskale dhe proceduriale.

“Kjo është eksperienca e parë e jona konkrete e bashkëpunimit intensiv dhe hap pas hapi me një industri. Ishte një eksperiencë e shkëlqyer që provoi qartësisht se sa shumë kohë është humbur dhe sa shumë mundësi janë humbur në këtë vend, vetëm e vetëm për mungesë të aftësisë së Qeverisë për të dëgjuar, për te reflektuar mbi gjërat që dëgjon dhe për t’iu përgjigjur në kohë kërkesave të kësaj industrie’, tha Rama.

“Mbështetja me anë të kësaj pakete, është pikërisht përgjigjja më e mirë e gjithë kërkesave që ne i kemi kërkuar Qeverisë gjatë kësaj periudhe”, tha Gjergj Gjika, kryetar i Dhomës Kombëtare të Fasonistëve.

Paralelisht fasonët marrin mbrapsht edhe taksat shtesë e paguara nga rritja e tatim fitimit.

“Do të thotë që ai fond që do të krijohet nga të ardhurat e marra prej kontributeve tuaja mbi fitimin, do të jetë në dispozicionin tuaj. I bashkërenduar me fondin e punësimit do të përbëjë një sasi të konsiderueshme, prej 5 milionë dollarësh në vitin e parë, që do t’i vihet në dispozicion, të gjithë atyre ndër ju që do të shtojnë vendet e punës”, tha Rama.

“Në vitin e parë ne synojmë që të rrisim eksportet nga këto industri nga 495 milionë euro, në 590 milionë euro. Në vitin e dytë, nga 590, në 720 dhe në vitin e tretë, vetëm kjo industri të gjenerojë 900 milionë euro eksporte”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj.

Por biznesi ka edhe një kërkesë tjetër, që lidhet me koncesionin e skanimit të dhënë nga Qeveria e kaluar.

“Zoti kryeministër, ju lutem në emër të të gjithë fasonistëve të Shqipërisë, merrni masa, ne do të vazhdojmë deri në mosbindje civile, do të bllokojmë portet, sepse nuk ka kuptim që ne të paguajmë për një shërbim që në çdo vend të botës ofrohet nga shteti”, tha Gjika.

“Jemui të vetëdijshëm për këtë situatë dhe do të punojmë me shumë kujdes që të evitojmë pasojat e tmerrshme që mund të ketë vënia në zbatim kështu siç është e këtij koncesioni”, tha Rama.

Në fund, Kryeministri zgjodhi një batutë për të ilustruar klimën e re të marrëdhënieve mes biznesit dhe Qeverisë.

“Ne do të flasim për shumë arritje vit pas viti, por unë jam i bindur që arritja më e madhe e jona është që biznesit i erdhi goja. Pas 23 qershorit jo vetëm mund të flasësh pa frikë sa ha gjobën, por përveç kësaj edhe dëgjohesh”, tha Rama.

Top Channel