Elbasan, zjarri vret një grua dhe të birin

21/04/2014 00:00

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një banesë në qytetin e Elbasanit mesnatën e së dielës duke shkaktuar vdekjen e dy personave.

Ngjarja është shënuar pranë stacionit të trenit në lagjen “Brigada”, në një banesë rome. Nënë e bir nuk mundën të dalin të gjallë nga shtëpia e tyre e përfshirë nga zjarri, ndërkohë që i plagosur mbeti bashkëshorti i viktimës.

Sipas policisë, Lumturie Seferi, 34 vjeç, dhe djali i saj 7-vjeçar, Kristian Seferi, gjetën vdekjen pa mundur të dërgohen në spital për ndihmën mjekësore, ndërkohë që Edmond Seferi ndodhet në spital me plagë të rënda nga djegia.

Policia dhe zjarrfikësja kanë mundur të vënë nën kontroll flakët pas një pune të gjatë pasi era e fortë favorizonte flakët. Paraprakisht mendohet se shkak i zjarrit që përfshiu banesën rome ka qenë një shkëndijë elektrike, por ende po punohet për verifikimin e mëtejshëm.

Top Channel