PS: Reformat ekonomike po japin efektet

19/04/2014 00:00

Partia Socialiste, në një komunikim me mediat paraditen e së shtunës, ka deklaruar se reformat e ndërmarra nga qeveria e re kanë nisur të japin efektet e tyre në ekonomi.

Deputetja Evish Kushi, në deklaratën e saj i është referuar raportit të një dite më parë të Bankës së Shqipërisë, që vlerësonte se në ekonominë shqiptare është rikthyer optimizmi.

“Pas vlerësimit të agjencisë prestigjoze “Standard & Poor”, edhe raporti i Bankës së Shqipërisë vlerëson ecurinë e ekonomisë shqiptare. Sipas raportit të BSH, në 3-mujorin e parë të vitit treguesi i ndjesisë ekonomike është përmirësuar ndjeshëm”, ka thënë Kushi.

Duke cituar raportin, Kushi ka vënë në dukje se, besimi i biznesit dhe konsumatorëve ka nisur trendin pozitiv që në tetor 2013, duke u përmirësuar muaj pas muaji.

“Ky ndryshim ka nisur me ardhjen në pushtet të qeverisë së re. Rritja e besimit muaj pas muaji ka ndodhur në të gjithë sektorët: industri, ndërtim, shërbime, tregti, ku treguesi jo vetëm është rritur por qëndron 5.2 për qind më lartë se mesatarja afatgjatë”, ka vijuar Kushi.

Deputetja socialiste ka vlerësuar se këto të dhëna reflektojnë klimën optimiste që mbizotëron në ekonominë shqiptare falë marrëveshjes së qeverisë me FMN-në dhe Bankën Botërore.

“Ndërkohë, ditën e hënë do të prezantohet edhe paketa e re për prodhuesit fasonë, që do të japë më shumë siguri për prodhuesit, do shtojë transportet dhe vendet e punës”, ka shtuar më tej Kushi.

Top Channel