Emigranti hidhet nga trageti

19/04/2014 00:00

Një nga udhëtarët e tragetit të linjës Bari-Durrës është hedhur në det mëngjesin e së shtunës, kur mjeti lundrues ndodhej rreth 12 milje larg portit të Durrësit.

Udhëtarët që e kanë parë kanë dhënë alarmin, ndërsa trageti “Bridge”, i nisur mesnatën e kaluar nga porti i Barit, ka ndërprerë lundrimin në pritje të ndihmës për gjetjen e të hedhurit në det.

Ai është identifikuar si shtetasi Gentian Peta, 39 vjeç me origjinë nga Gjirokastra, emigrant prej vitesh në Gjermani. Nga veprimet e para hetimore mbi ngjarjen rezulton se Peta, baba i dy djemve, që po kthehej për Pashkë pranë familjarëve në Durrës, është vetëhedhur pak pasi trageti është futur në ujërat territoriale shqiptare.

Në operacionin e kërkim-shpëtimit janë përfshirë dhe dy mjete të Rojës sonë Bregdetare dhe Guardia di Finanza-s, të cilat kanë mbërritur në koordinatat ku është hedhur Peta rreth dy orë më pas.

Në kushtet e një deti të dallgëzuar, që regjistron forcën 5 ballë, kërkimet janë vështirësuar duke e bërë të pamundur shpëtimin e 39-vjeçarit, i cili mund të jetë zhvendosur nga rrymat detare në drejtim të jugut.

Në bordin e tragetit “Bridge” ndodhen rreth 600 pasagjerë, pjesa më e madhe e të cilëve emigrantë që kthehen për pushimet e Pashkës.

Top Channel