Një grup studentësh shqiptarë kanë protestuar të premten para Gjykatës Themelore në Shkup, kundër dhunës së ushtruar ndaj familjes shqiptare në lagjen Radishan të dielën e kaluar.

Protestuesit fajësuan pushtetit gjyqësor në Maqedoni për përsëritjen e vazhdueshme të rasteve dhunës. Rasti i fundit në Radishan, sipas studentëve shqiptarë, është vetëm edhe një provë se drejtësia në Maqedoni nuk ekziston, posaçërisht kur janë në pyetje shqiptarët.

“Drejtësia në Maqedoni ka mbetur në duar të këtyre gjyqtarëve të korruptuar dhe kanë vulosur fatin e shumë familjeve. Këto lule që vendosëm këtu janë në shenjë revolte edhe për ata policë që vetëm marrin rrogën dhe në shumicën e rasteve nuk e mbrojnë qytetarin e pafajshëm. Rasti më i freskët ishte në Radishan, mirëpo ne shprehim keqardhje edhe për rastin që ndodhi menjëherë mbrëmjen më pas, kur u rrahën edhe nxënës nga nacionaliteti maqedonas”, deklaroi Furkan Saliu, drejtues i protestës.

Sipas drejtuesit të protestës, Furkan Saliu, për shkak të kërcënimeve dhe presioneve të shumta ndaj studentëve, dalja e tyre në këtë protestë ka qenë shumë e vogël.

“Pse ne sot nuk jemi këtu në numër më të madh? Ky është problem për të gjithë të rinjtë në Maqedoni dhe përgjigjia është shumë e thjeshtë: sepse kanë presione. Ne ishim dëshmitarë edhe të presioneve që u bënë edhe para protestës. Kam një apel tek të gjithë studentët që të mos frikësohen sepse do ta marrin diplomën”, tha Saliu.

Familja Zeqiri nga lagja Radishan e Shkupit ka përjetuar tmerr të dielën e kaluar, kur u sulmua nga një grup huliganësh në shtëpinë e saj. Anëtarët e kësaj familjeje kanë sqaruar se ky ka qenë sulmi i pestë ndaj tyre në vitet e fundit. Për shkak të pasigurisë që ndjejnë, ata kanë kërkuar ndihmë nga kryeministri shqiptar Edi Rama, për t’u strehuar në Shqipëri.

Top Channel